Shkruar nga: Mire Jakupi Salihu
Jeta është gjë që perëndia i cakton çdo njeriu. Njerëzit gjatë jetës kanë ëndrra dhe dëshira të ndryshme, por ndonjëherë edhe jeta i ofron pengesa të ndryshme, ndonjëherë shumë më të mëdha saqë njeriu i humbë të gjitha shpresat dhe forcat e tij për të jetuar, duke menduar se nuk mund ta tejkalojë atë pengesë.
Por ne nuk e dimë se pa i rezistuar një gjëje të fortë asnjëherë nuk mund të forcohemi. Edhe sot, sikurse 15 vite më parë prej kur erdhe në këtë botë, gëzohem sa herë hap syqkat e tu ngjyrë qielli dhe kërkon dritën, hënën tënde, sepse jo rastësisht çdo nënë është e tillë për ëngjujt e saj.
Çdo ditë me sfida të ndryshme e që vetëm zemra e nënës mundet t’i përballojë. E lodhur me këtë betejë, fshehurazi fshij lotët që ti kurrë mos të më shohësh të mërzitur, dal para teje plot jetë sikurse asgjë nuk ka ndodhur dhe vazhdoj tutje çdo ditë e çdo sekondë, bashkë me të gjithë dashamirët duke të dhënë ty vullnet e shpresë se një ditë do të ja dalim bashkërisht falë Zotit dhe dashamirëve të shumtë. Një gjë e di me siguri, veç kush e ka provuar ka për të më kuptuar!
Unë nuk u lodha, zemra e nanës, as që do të lodhem kurrë për ty, sepse unë kam besim në Zot se një ditë do të bëhet mrekullia dhe një ditë Florenti im do shërohesh, do forcohesh dhe do ecësh bashkë me shokët e shoqët nëpër oborr të shkollës i buzëqeshur si asnjëherë më parë!
Florentin e kam vërejtur pas një viti që diçka me të nuk ështe në rregull, më është konstatuar sepse është i lënduar gjatë lindjes, ka qenë lindje e vonshme dhe se truri nuk ka pasur oksigjen të mjaftueshëm, ku, si pasojë, i është dëmtuar motorika (lëvizja). Fillova me kontrolla pediatrike, e me pas neurologjike, ortopedike, fiziatrike, psikologjike e logopedike. Florenti ishte ende i vogël. Nuk dinte se çfarë po ndodhë me të, por me kalimin e kohës u kuptua gjithçka edhe për të.
Filluam terapitë fizikale të cilat i ndihmuan shumë dhe Florenti ndihej mirë përderisa i bënim seancat. Më vonë filloi t’i akuzonte mjekët thoshte “ahh bre nan, çka m’kanë bo mjekët, më lanë k’shtu”, por gjithmonë i kam thënë se ashtu është e shkruar dhe kjo është sfida jonë dhe kam takuar psikologë për këtë çështje dhe i kam folur unë si nënë.
“Gjithçka do bëhet mirë”, kjo ka qenë fjalia që ia kam thënë çdo ditë. 15 vite si 15 sekonda.
Por tani unë gjendem në spitalin Ortomedica në Prizren ku dhe po trajtohet Florenti im, i cili ka realizuar ndërhyrje kirurgjike ortopedike. Falemnderit Dr. Evren Fehmi Atay dhe Spitali Ortomedica që çdo ditë japin shpresë dhe po punojnë që Florenti t’i shijojë vitet më të lumtura të jetës në këmbët e tij. Historia vazhdon dhe unë ju premtoj se do ju njoftoj mbi shëndetin e Florentit tim./FamiljaJonë/