Asnjë prind nuk do ta ketë fëmijën dembel. Por t’i bësh fëmijët ta duan dhe vlerësojnë punën mund të jetë e vështirë. Për fat të keq bisedat e prindërve për të nxitur fëmijët të punojnë vërtiten rreth mësimeve dhe detyrave të shtëpisë, gjë që e kufizon shumë temën.
Në të vërtetë, fëmijët duhen nxitur të gjejnë vlerat e vetes përmes një marrëdhënieje të mirë me punën. Fëmijët, të cilët e dinë se puna e palodhur do t’i çojë drejt realizimit të qëllimeve, kanë vetëvlerësim më të lartë dhe janë më të suksesshëm. Megjithatë është e vështirë për të gjetur një ekuilibër. “Ka kohë për të qenë shumë punëtorë dhe ka kohë për të qenë dembelë”, – thotë psikoterapistja Laura Dabney, e cila prej 20 vitesh merret me të rritur e fëmijë.
Pse duhet të rrisim fëmijë punëtorë? “Prindërit nuk e kuptojnë se fëmijët e fitojnë vetëvlerësimin duke punuar”, – shpjegon psikoterapistja. Nëse fëmija ankohet se nuk bën dot diçka, por pas shumë përpjekjesh e arrin atë, ai ndjen një kënaqësi të madhe.
Kur duhet t’i mësojmë fëmijët të punojnë? Sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas ekspertëve, që kur fëmijët lindin, prindërit u japin atyre modelet me të cilat do të rriten. Prandaj, zhvilloni zakone ku i dëshmoni dhe mësoni fëmijëve kënaqësinë nga puna e palodhur.
Si t’u japim fëmijëve modelin e një njeriu punëtor? Ankohuni sa më pak të jetë e mundur për punën. Sipas to Dr. Dabney, edhe pse shtëpia ndihet si vendi më i sigurt për të shprehur të gjitha ndjesitë tona, mos u ankoni në lidhje me punën në prezencën e fëmijëve tuaj, sepse u jepni shembull të gabuar.
A duhet t’i lini fëmijët të përballen me sfida? Nëse e shikoni se fëmija ka vështirësi për të arritur diçka, mos ia lehtësoni menjëherë gjërat. Lëreni ta provojë vetë derisa të mundet. Kur ta përfundojë, përgëzojeni për arritjen.
Respektoni personalitetin e fëmijëve: Ndonjëherë prindërit kanë ide të qarta në kokën e tyre si duhet të jenë fëmijët dhe përpiqen të edukojnë fëmijën që do të donin të kishin. Në të vërtetë, fëmija ka personalitetin e tij, i cili duhet respektuar. Ka fëmijë që janë të aftë dhe të talentuar në fusha të caktuara dhe këto duhet të këmbëngulni të nxirrni në pah. /Familja Jonë