Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
SBASHK-u kundër mësimit online, por thotë se do të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së

Sot rreth orës 15:00 pritet të mbahet një takim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të drejtorive komunale si dhe të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ku pritet të diskutohet për situatën pandemike me COVID-19, në nivel të Kosovës në sektorin e arsimit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin tha se janë kundër mësimit online, por se do të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

“Kemi komunikim me MASH-in, dhe sipas asaj që është thënë po presim një konfirmim zyrtarë ku pritet që të ketë një takim në MASH ku do të jenë edhe udhëheqësit e IKSHPK-së, përfaqësues të zyrës së kryeministrit, përfaqësues të DKA-së të komunave, ku po pritet që të flitet për situatën aktuale nga pandemia e veçanërisht për arsimin. Nuk kemi ndonjë informatë se kur por do të bisedohet dhe do të analizohet situata dhe organet kyçe që do të vendosin janë IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, siç tha Jasharaj, SBASHK-u është kundër mësimit online por sipas tij, nëse IKSHPK-ja dhe MSH-ja rekomandojnë që për shkak të situatës me COVID-19 të kalojnë në mësim online, ai tha se do ta respektojnë një vendim të tillë.

“SBASHK-u mbetet me insistimin që mësimi të vazhdoj në shkolla, por nëse IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë parashikuar si problematike këtë çështje atëherë ata do të marrin vendim dhe SBASHK-u do të përkrah vendimin e  institucioneve tona, dhe do të mobilizoj punëtorët e arsimit dhe nëse ‘larg qoftë’ siç thotë populli kalohet në mësimin online eventualisht për një kohë të caktuar atëherë do të mundohemi që mësimdhënësit të jenë sa më aktiv dhe më të suksesshëm edhe në atë lloj mësimi, me urimin që kjo mos të ndodh, por SBASHK-u do të pajtohet sepse primar është shëndeti i nxënësve”, ka thënë ndër të tjera Jasharaj.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

“Është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër COVID-19, pasi që është vlerësuar se trendet janë stabile. Ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, thuhet në njoftim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë