Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur për ankesat e bashkatdhetarëve për testet PCR, për të cilat kanë nevojë ata për të hyrë në shtetet e perëndimit.
Zemaj në një lidhje direket për Kanal10, ka paralajmëruar edhe për vendosjen e një takse për ata që kërkojnë teste PCR për udhëtime jashtë vendit për komercializëm apo për dëshirë.
“Me qenë transparent, javën e kaluar me propozim të Institutit dhe Departamentit të Mikrobiologjisë kemi autorizuar zyrën ligjore që edhe ne mund të fusim një taksë për ata që udhëtojnë për komercializëm ose dëshirë, jo këta që kanë nevoja të shëndetit apo nevoja emergjente, që të shohim edhe ne ta adaptojmë një taksë sepse jemi bombardua me kërkesa për testime për udhëtime jashtë vendit dhe e cila ka kosto shumë të madhe. Çdo ditë bëhen mbi 2 mijë e 500 teste, një pjesë e të cilave bëhet për udhëtime jashtë vendit”, u shpreh ai.
Ministri në detyrë ka thënë se vendet e perëndimit nga vijnë bashkatdhetarët, për të bërë një test PCR për udhëtim jashtë vendit, atyre ju duhet të presin minimumi pesë ditë dhe se duhet të paguajnë 170 deri në 300 euro, derisa në Kosovë këto teste i marrin falas në IKSHP.
“Në vendet e perëndimi prej nga vijnë ata minimum i ditëve që mund ta bëjnë një test është 5 ditë, dmth mund të ketë edhe në 10 ditë pritje. Pothuajse 70 përqind të bashkatdhetarëve i marrin testet falas në IKSHP, që bëhen nga taksat tona dhe i shfrytëzojnë për udhëtime jashtë vendit. Ata që e bëjnë një test të tillë në shtetet e perëndimit paguajnë 170 euro deri në 300 euro për test për të ardhur ose për të shkuar në ndonjë vend tjetër”, ka thënë Zemaj.
Ministri ka shtuar se çdo kush që dyshon në keqpërdorim janë institucionet relevante në të cilat mund të raportojnë.