Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Përkundër pandemisë, fushata vetëdijësuese kundër kancerit të gjirit u zhvillua edhe këtë vit

Muaji tetor në tërë botën shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për të prekurit nga sëmundja e kancerit të gjirit. Pikërisht ky muaj njihet si koha e aktiviteteve në të mirë të të prekurve nga kjo sëmundje.

 Ndonëse situata pandemike në vend ka vështirësuar jo pak procesin e zhvillimit të aktiviteteve kushtuar kësaj ngjarjeje, kjo nuk e ka ndaluar Shoqatën e të prekurve me kancer të gjirit “Renesanca” që ta realizojë aktivitetin e përvjetshëm kundër kësaj sëmundjeje edhe këtë vit.

Vetë iniciatorja dhe drejtoresha e kësaj shoqate, Violeta Pirana, në një intervistë dhënë për TV Prizrenin, e pranon se kushtet për zhvillimin e kampanjës sivjet kanë qenë më të vështira se më parë, por kjo nuk i ka penguar në organizimin e garës “Race for the Cure” e cila u mbajt nga data 25 deri më 27 shtator.

Ndryshe nga edicioni i parë, këtë vit gara e ecjes dhe vrapimit në shenjë të solidarizimit ndaj të prekurve me kancer të gjirit u organizua në mënyrë dixhitale dhe u shpërnda në të gjitha komunat e Kosovës.

Ndërkaq, Pirana vlerëson se këtë vit organizimi i këtij aktiviteti ishte i vështirë, por se pati edhe mbështetjen e komunave të tjera të cilat nuk hezituan për ta përkrahur një nismë të tillë.

Në mbështetje të Shoqatës “Renensanca”  për këtë iniciativë dhe jo vetëm ka dalë edhe Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren. Drejtoresha e këtij dikasteri, Narqize Arënliu- Hoxha, është shprehur se gjatë muajit tetor do të ketë aktivitete të organizuara për këtë ngjarje.

Deri më tani, iniciativa po del të ketë shkuar mirë. Në një postim më Facebook, vetë Violeta Pirana shprehet e kënaqur me interesimin e njerëzve për t’i dalë në ndihmë për këtë kauzë. Ajo, ndër të tjera, shprehet falënderuese për më shumë se 40 mijë pjesëmarrës, mbi katër mijë ekipe dhe mbi pesë mijë ekipe sponorizuese.

36 kampanjat e realizuara në 32 vende arritën t’i mbledhin më shumë se 500 mijë euro për të sëmurit me kancer.

Nismës “Race for the Cure” i dolën në ndihmë edhe figura të politikës. Vjosa Osmani, Mimoza Kusari-Lila dhe Atifete Jahjaga ishin disa prej grave të cilat dolën në garë./Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë