Mar, Pri 7, 2026
Banner Top
Banner Top
Albatros Rexhaj ka disa fjalë për gjendjen e krijuar nga koronavirusi

Shkrimtari, Albatros Rexhaj, përmes një statusi në Facebook, ka shkruar për pandeminë Covid10.

Rexhaj, ka thënë që mbyllja e kufirit kosovaro-shqiptar, është një prej ditëve të tija më të rënda që nga viti 1999.

Rexhaj, ka renditur disa të (pa) vërteta që po qarkullojnë sa i pëket koronavirusit.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e tij të plotë:

“Mirëdita,
U mbyll edhe kufiri Kosovë – Shqipëri. Për mua kjo është dita më e rëndë që nga 1999 😢
Ky shënim është një mesazh i imi për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Në Evropë, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo tjetër.
Si popull, jemi në zemër të pandemisë që ka kapluar botën. Shqipëria tashmë është ravijëzuar si vijë e re e frontit global kundër Covid19, ndërkaq Kosova, lavdi Zotit, akoma është e kursyer edhe pse e rrethuar nga të gjitha anët.
Si përballë çdo rreziku tjetër, ngritja e vetëdijes është shtylla e parë e mbrojtjes dhe organizimit qytetar.
Si pjesëtar i një kategorie të ndjeshme, që ndihet i rrezikuar përballë këtij kërcënimi, sot dua të ndajë me ju mendimet e mia mbi disa mite të rrejshme që së fundmi janë duke qarkulluar, dhe që nëse nuk mënjanohen mund të na kushtojnë të gjithëve.
Mitet që duhet larguar sa më parë nga mendja:

1. Covid19 është si gripi.
Jo. Covid19 nuk është si gripi. Për asnjë epidemi moderne të gripit (gripi i shpezëve apo i derrit) bota nuk ka reaguar me masa shtetrrethimi, paralizë shoqërore dhe ekonomike, mbyllje kufijsh dhe ndalim të fluturimeve. Reagimi mbarëbotëror, pothuajse si në filma, është tregues i qartë sa serioz është kërcënimi.

2. Covid 19 nuk është i rrezikshëm për të rinjtë.
Kjo është pjesërisht e vërtetë. Covid19 nuk është i rrezikshëm vetëm për pleqtë dhe të sëmurit kronik. Edhe pse të rinjtë dhe njerëzit me shëndet të plotë në përgjithësi e kalojnë më lehtë, ka mjaftueshëm raste të rinjsh që futen në reanimacion ose edhe që vdesin.
Dr. Daniele Machini që është në vijën e frontit duke luftuar me Covid19 në Bergamo ka dhënë një dëshmi tronditëse, direkt nga përvoja e tij klinike, për atë se si Covid19 është larg të qenit grip dhe se si para syve të tij është thyer bindja se të rinjtë janë të paprekshëm. Poshtë në koment do e vë linkun që ta lexoni dëshminë e tij. Ju lutem ta lexoni me shumë kujdes.

3. Covid19 do të zhduket kur temperatura do të shkojë në 27 gradë.
Jo. Nuk ka dëshmi shkencore se kjo është e vërtetë. Sikur të ishte e vërtetë nuk do të kishte Covid19 në Australi (ku tani është verë dhe ku është infektuar Tom Hanks), ose në zona tropikale të Azisë (Singapor dhe Tajlandë) si dhe në vendet e gjirit persik ku është gjithmonë verë. E vetmja gjë që do të sjellë vera është distanca fizike mes nesh, sepse nuk do të kemi nevojë të rrimë hapësira kolektive të mbyllura dhe afër njëri-tjetrit. Kjo do ta ngadalësojë shpërndarjen dhe do të jetë një ndihmesë e madhe.

4. Covid19 do të zhduket për dy javë.
Jo. Do të duhet shumë më tepër se kaq dhe kam frikë se do të na duhet që këto masa t’i përsëritim disa herë. Kina është në prag të shpalljes së fitores ndaj Covid19, por, në të njëjtën kohë, po përgatitet të ndërrmarë masa ekstreme që virusi të mos kthehet në Kinë nga vendet tjera. Ushtria amerikane që tani po përgatitet për “valën e dytë”, një plan rezervë për t’u ballafaqur me Covid19 në rast se ky ritkthehet furishëm në vjeshtë. Nuk guxojmë assesi të lodhemi, sepse derisa të shërohet edhe pacienti i fundit në të gjithë botën kjo luftë nuk do të marrë fund.

5. Vdekshmëria nuk është aq e lartë sa thotë OBSH.
OBSH është organizatë shumë serioze dhe pohimet nuk janë rastësore, por janë rezultat i analizave të sakta. Ka disa vende që kanë vdekshmëri shumë të ulët, (Koreja e Jugut e ka vetëm 0.77%) por kjo vetëm si rrjedhojë e reagimit agresiv dhe disiplinës gjithë popullore. Ka disa vende ku vdekshmëria është shumë e lartë (p.sh Italia me mbi 5% dhe Irani me 4.7%, por ka disa që pohojnë se në Iran është shumë më e lartë). Disa thonë se kjo është rrjedhojë e faktit se Italia ka popullsi shumë të moshuar, por këtij pohimi i del kundër rasti i Iranit që ka popullsi relativisht të re dhe vitale, por, si rrjedhojë e sistemit të brishtë shëndetësor dhe neglizhencës individuale të njerëzve, ka një shkallë vdekshmërie më të lartë se mesatarja botërore. Shkencëtarët pohojnë se nëse situata mbahet nën kontroll, dmth ngadalësohet shkalla e përhapjes, vdekshmëria do të jetë shumë më e ulët se 3.4%, por nëse situata del jashtë kontrollit (kryesisht rrjedhojë e njerëzve që nuk ndiejnë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe me pakujdesinë e tyre infektojnë të tjerët) vdekshmëria do të ngritet. Jo, sepse nuk do të mund të shërohen të infektuarit, por për shkak se nuk do të ketë mjaftueshëm mjekë dhe pajisje në dispozicion për t’u ofruar ndihmë.

6. Hudhra, vitamin c, caj me limon dhe shpëton!
Jo. Ato të duhen të gjitha, por nuk mjaftojnë. Do të na duhet shumë më tepër së kaq. Covid19 nuk është grip. Ngulite këtë në kokë.

7. Mjekët e kanë obligim të na shpëtojnë të gjithëve 🤔
Kjo është pjesërisht e vërtetë. E kanë detyrë, por nuk duhet të harrojmë se edhe mjekët janë vetëm njerëz, janë femijë të dikujt dhe prindër të dikujt tjetër. Janë njësoj si ne të brishtë dhe jo pak prej tyre do të flijohen në vijën e parë të frontit. Është mëkat e papërgjegjësi që ata t’i vëmë para sfidave të pamundura. Mendoni për atë që çdo mjek që detyrohet të punojë në turne të pandërprera është një prind që nuk do të mund të jetë në shtëpi që të ngushëllojë fëmijët e vet, është i biri apo e bija dikujt që nuk do të mund të jetë afër prindërve të vet.

8. Neve shqiptarëve nuk na gjenë gjë 🤔
Ne jemi një popull i zgjedhur mbi të gjithë të tjerët. Kemi imunitet hyjnor, ndërkaq disa nga ne janë imunizuar pasi që në të kaluarën alienët kanë bërë eksperimente me ne. Normal ky është një narracion nga një botë paralele ku shqiptarët e dominojnë botën, por në këtë botën tonë ku realisht jetojmë, ne jemi më të brishtë se popujt dhe vendet tjera. Kemi sistem të brishtë, kemi resurse të vogla, jemi të kequshqyer, pimë shumë duhan dhe viteve të fundit jemi të prirur drejt mbipeshës. Që të gjitha këto janë faktorë kundër teorisë absurde se neve nuk na gjenë gjë.

9. Armiku është paniku.
Po, në këtë pikë pajtohem plotësisht, por armiku i madh dhe i vërtetë është virusi si dhe pakujdesia e neglizhenca e njerëzve. Dhe nëse vërtet dëshirojmë ta parandalojmë panikun atëherë duhet që secili nga ne, në familje, shoqëri dhe kudo, të angazhohet për të vetëdijësuar njerëzit. Projektimi kolektiv i një sigurie të rrejshme nuk është zgjidhje, përkundrazi në një fazë të mëvonshme, ajo do të kthehet kundër nesh. E vetmja mënyrë për të menjanuar dhe menaxhuar panikun është ngritja e vetëdijes dhe përgjegjësisë individuale dhe kolektive të njerëzve dhe institucioneve. Duke e mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit, duke bashkëpunuar me autoritetet, duke sfiduar karaxhozët dhe injorantët që na rrezikojnë me pakujdesinë e tyre, dhe duke krijuar shprehi të reja.

Kaq për sot.
Forca, qetësi, kurajo dhe shumë durim.
Së bashku do ia dalim”, ka shkruar Rexhaj në Facebook.

Youtube

Arkiva

Kategoritë