Pre, Kor 31, 2026
Banner Top
Banner Top
Ushqyerja me qumësht gjiri në Kosovë në rënie, organizatat bëjnë thirrje për veprim urgjent

Me rastin e Javës Botërore të të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, e cila  shënohet në nivel global nga 1 deri më 7 gusht dhe këtë vit zhvillohet me temën “Të ushqyerit  me qumësht gjiri për një fillim të qëndrueshëm në jetë: Të forcojmë atë që funksionon”,  Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), Aksioni për  Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) bëjnë thirrje  për forcimin e politikave, shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjes praktike që u krijojnë nënave  kushtet e nevojshme për ta filluar dhe vazhduar të ushqyerit me qumësht gjiri. 

Të ushqyerit me qumësht gjiri është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit  dhe mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve. Megjithatë, të dhënat e disponueshme për  Kosovën tregojnë se nevojitet një angazhim edhe më i fuqishëm dhe më i koordinuar për t’i  mbështetur nënat gjatë shtatzënisë, menjëherë pas lindjes dhe gjatë muajve të parë të jetës së  fëmijës. 

Sipas Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2013–2014, 45,4 për qind e  fëmijëve kishin filluar të ushqyerit me qumësht gjiri brenda orës së parë pas lindjes, ndërsa 39,9  për qind e foshnjave nën moshën gjashtë muajsh ushqeheshin ekskluzivisht me qumësht gjiri. 

Në MICS 2019–2020, përqindjet përkatëse ishin 32,1 për qind për fillimin e hershëm dhe 29,2  për qind për të ushqyerit ekskluziv me qumësht gjiri te foshnjat nën moshën gjashtë muajsh. 

“Të ushqyerit ekskluziv me qumësht gjiri luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të  foshnjave dhe në uljen e rrezikut të vdekjeve të parandalueshme”, tha Rina Demiri Spahija,  Drejtore Ekzekutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë (AMC)

“Promovimi dhe mbështetja e të ushqyerit me qumësht gjiri prej kohësh kanë qenë pjesë qendrore  e punës së AMC-së. Ne jemi të përkushtuar që nënat të marrin informata të besueshme, udhëzime  profesionale dhe mbështetje praktike gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Politikat e fuqishme duhet  të shoqërohen me shërbime të qasshme që i ndihmojnë nënat ta fillojnë të ushqyerit me qumësht  gjiri me besim dhe ta vazhdojnë për aq kohë sa dëshirojnë”, shtoi ajo. 

Gjatë Javës Botërore të të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, AMC do ta avancojë këtë angazhim përmes  disa iniciativave të reja që synojnë promovimin e të ushqyerit me qumësht gjiri dhe adresimin e  mangësive në mbështetjen e nënave. 

Këto iniciativa përfshijnë zgjerimin e programit falas “Klasat për Nëna”, publikimin e një serie  edukative prej shtatë videosh dhe hapjen e një hapësire të dedikuar për mbështetje në Klinikën e  Neonatologjisë në Prishtinë.

“Mbështetja e të ushqyerit me qumësht gjiri nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi individuale e  nënës, por të trajtohet si prioritet i shëndetit publik dhe si përgjegjësi e përbashkët institucionale  dhe shoqërore. Mundësia për ta filluar dhe vazhduar atë varet nga praktikat dhe cilësia e kujdesit  në maternitete, këshillimi profesional, mbështetja pas daljes nga institucioni shëndetësor, politikat  mbështetëse në vendin e punës, si dhe përfshirja e familjes dhe komunitetit”, tha Dr. Agron Gashi,  Drejtor Ekzekutiv i IEJL-PShS

“Të dhënat nga anketat MICS 2013–2014 dhe 2019–2020 nënvizojnë nevojën për vëmendje të  vazhdueshme institucionale, analiza më të thelluara dhe ndërhyrje të bazuara në evidencë. IEJL PShS është duke përgatitur një analizë mbi vdekshmërinë e fëmijëve, si dhe vdekshmërinë  neonatale dhe perinatale në Kosovë për periudhën 2000–2025. Pas publikimit të rezultateve të  MICS 2025, Instituti planifikon të shqyrtojë zbatimin, mbulueshmërinë dhe rezultatet e  ndërhyrjeve dhe programeve që mbështesin të ushqyerit me qumësht gjiri, për të identifikuar çfarë  funksionon, ku mbeten boshllëqet dhe cilat masa duhet të forcohen. Gjetjet synojnë të mbështesin  vendimmarrjen dhe orientimin e politikave dhe programeve të ardhshme për nënat dhe fëmijët”,  shtoi ai. 

“Çdo nënë ka të drejtë të marrë informata të sakta dhe të bazuara në evidencë, si dhe mbështetje  profesionale për të marrë vendime të informuara lidhur me të ushqyerit e foshnjës së saj.  Respektimi i këtyre të drejtave dhe sigurimi i kujdesit të përqendruar te pacienti janë elemente  kyçe për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së nënës dhe fëmijës”, tha Agron Bytyqi,  Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK)

Kosova ka në fuqi Ligjin nr. 05/L-023 për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, i cili krijon  bazën ligjore për mbrojtjen, promovimin dhe mbështetjen e kësaj praktike. Zbatimi efektiv i ligjit  duhet të shoqërohet me shërbime të qasshme, profesionistë shëndetësorë të trajnuar dhe mbështetje  të vazhdueshme për nënat dhe familjet. 

Duke njohur përpjekjet e deritanishme të institucioneve shëndetësore, profesionistëve dhe  partnerëve të tjerë, IEJL-PShS, AMC dhe PRAK vlerësojnë se nevojitet vazhdimi dhe forcimi i  veprimeve të koordinuara. 

Bazuar në të dhënat e disponueshme, përvojën programore dhe rëndësinë e respektimit të të  drejtave të nënave dhe fëmijëve, IEJL-PShS, AMC dhe PRAK rekomandojnë: 

• hartimin dhe zbatimin e një plani të koordinuar dhe të financuar për promovimin dhe  mbështetjen e të ushqyerit me qumësht gjiri;  

• mbështetjen e kontaktit të menjëhershëm lëkurë me lëkurë dhe fillimit të të ushqyerit me  qumësht gjiri brenda orës së parë pas lindjes, kur gjendja e nënës dhe foshnjës e mundëson;  

• vlerësimin e materniteteve publike dhe private, si dhe të njësive neonatale, sipas standardeve  të “Institucioneve Mike të Foshnjës”; 

• trajnimin e vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë për këshillim dhe mbështetje të të  ushqyerit me qumësht gjiri, të bazuar në evidencë;  

• forcimin e mbështetjes pas daljes nga materniteti përmes shërbimeve të kujdesit parësor  shëndetësor, programit “Klasat për Nëna” dhe shërbimeve të tjera komunitare;  

• zbatimin e plotë të legjislacionit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, përfshirë  monitorimin e marketingut të zëvendësuesve të qumështit të gjirit;  

• forcimin e mbrojtjes së lehonave dhe krijimin e kushteve mbështetëse për të ushqyerit me  qumësht gjiri në vendin e punës;  

• publikimin dhe analizimin e rregullt të të dhënave për identifikimin e pabarazive dhe  vlerësimin e rezultateve të ndërhyrjeve.  

IEJL-PShS, AMC dhe PRAK riafirmojnë përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar me institucionet  publike, shoqatat profesionale, profesionistët shëndetësorë dhe organizatat përkatëse, me qëllim  që çdo nënë të ketë qasje në informata të sakta, këshillim profesional, kujdes cilësor dhe mbështetje  praktike, ndërsa çdo fëmijë të ketë mundësinë për një fillim sa më të shëndetshëm në jetë. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë