Sami Hajrullahu, psikolog në Spitalin për Trajtimin e Varësive Rezonanca 3, ka folur për ndikimin që trajtimi dhe hospitalizimi kanë në gjendjen emocionale të pacientëve që marrin shërbime në këtë institucion shëndetësor.
Sipas tij, rezultatet e vlerësimeve psikologjike tregojnë se pacientët që pranohen për trajtim shpesh përballen me nivele të larta ankthi dhe depresioni por këto simptoma kanë përmirësim të dukshëm pas një periudhe relativisht të shkurtër trajtimi.
“Ne Spitalin Rezonanca 3, spital për trajtimin e varësive, te të gjithë pacientët të cilët pranohen dhe hospitalizohen, niveli i ankthit dhe depresionit bie në një masë të konsiderueshme pas vetëm dy javësh trajtimi në spitalin tonë”, shpjegon psikologu.
Hajrullahu thekson se një pjesë e rëndësishme e procesit të trajtimit përfshin vlerësimin profesional të gjendjes emocionale dhe psikologjike të pacientëve, me qëllim identifikimin e nevojave individuale dhe monitorimin e progresit gjatë qëndrimit në spital.
“Secilit pacient që hospitalizohet në spitalin tonë i administrohet një numër testesh të standardizuara, të cilat bëjnë matjen e niveleve të ankthit dhe depresionit. Rezultatet tregojnë se niveli i depresionit dhe ankthit te shumica dërrmuese e këtyre pacientëve është shumë i lartë dhe kjo ndoshta nuk është habitëse nëse e krahasojmë se nga po vijnë pacientët, çfarë sfidash po kanë aktualisht dhe cilat janë vështirësitë e tyre personale, familjare dhe sociale, me të cilat gjendja e tyre emocionale nuk është stabile”, shpjegon ai.
Sipas psikologut, pas fillimit të trajtimit dhe analizimit të rezultateve fillestare, ekipi profesional i Rezonanca 3 vazhdon monitorimin e vazhdueshëm të pacientëve për të vlerësuar efektet e ndërhyrjeve terapeutike dhe progresin e tyre gjatë procesit të rehabilitimit.
“Pasi të bëjmë rivlerësimin, shohim rënie të dukshme të nivelit të ankthit dhe të depresionit te po këta pacientë”, thotë psikologu.
Ai thekson se ky përmirësim lidhet drejtpërdrejt me qasjen profesionale dhe metodat terapeutike që aplikohen në institucion.
“Kjo vjen si rezultat i teknikave që ne përdorim në spitalin tonë”, thotë Hajrullahu.
Shpjegimin e plotë të psikologut Sami Hajrullahu mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.
Ndërkaq, në videon tjetër më poshtë, Bujar Berisha, psikiatër në Spitalin Rezonanca 3, flet për gamën e gjerë të shërbimeve që ofrohen në këtë institucion. Sipas tij, përveç trajtimit të avancuar të varësisë nga droga dhe alkooli, spitali ofron edhe programe për trajtimin e varësive të tjera, si dhe të çrregullimeve të ndryshme psikiatrike.
Emisioni “Familja Jonë” ka realizuar gjithashtu intervista me pacientë që kanë qenë të varur nga droga dhe që janë hospitalizuar në këtë spital, të cilët kanë rrëfyer historitë e tyre personale, sfidat me të cilat janë përballur gjatë varësisë, si dhe progresin e arritur gjatë procesit të trajtimit dhe rehabilitimit.













