Kreditë bruto të bankave komerciale në Kosovë kanë arritur në 6.96 miliardë euro në fund të muajit prill 2026, duke shënuar rritje prej 103.30 milionë euro ose 1.51 për qind krahasuar me muajin paraprak, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Sipas të dhënave të BQK-së, vlera e kredive të reja gjatë muajit prill ishte 235.72 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit në kreditë e reja ka qenë 6.88 për qind, shkruan Indekonline.
Ndërkohë, asetet e bankave komerciale kanë arritur në 9.76 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej rreth 19.29 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Edhe depozitat e klientëve kanë pësuar rënie gjatë prillit, duke arritur në 7.84 miliardë euro, apo 23.75 milionë euro më pak se në muajin mars.
Depozitat e reja të pranuara gjatë muajit prill kanë arritur vlerën prej 119.41 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit në depozitat e reja ishte 3.29 për qind.
Raporti kredi-depozita në muajin prill 2026 ishte 88.71 për qind, ndërsa margjina e normës së interesit në kredi dhe depozita ishte 3.60 për qind.
Gjithashtu, kapitali total i bankave komerciale ka arritur në 1.15 miliardë euro, ndërsa provizionet për kredi janë rritur në 161.04 milionë euro.












