Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, ka miratuar një udhëzim të ri që, për herë të parë, i hap rrugë ofrimit të terapisë hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri.
Shërbimi do të realizohet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe kostot do të mbulohen nga fondet publike.
Dokumenti përcakton procedurat mjekësore dhe kriteret që duhet të ndiqen për çdo pacient, si edhe mënyrën e monitorimit gjatë gjithë procesit të trajtimit. Qëllimi i këtij udhëzimi është që terapia të kryhet nën kontroll të specializuar mjekësor, duke shmangur trajtimet e pakontrolluara apo praktikat informale që janë përdorur deri tani.
Sipas rregullave të reja, terapia hormonale mund të aplikohet si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët mbi 16 vjeç, por vetëm pas vlerësimit nga mjekët specialistë dhe me miratimin e familjes. Në raste të veçanta, pas një analize të detajuar nga ekipi mjekësor, trajtimi mund të shqyrtohet edhe për persona mbi 14 vjeç.
Në udhëzim theksohet se nisja e terapisë kërkon një proces të kujdesshëm vlerësimi psikologjik dhe emocional, si edhe verifikimin e aftësisë së pacientit për të kuptuar efektet dhe pasojat afatgjata të trajtimit.
Terapia do të përshtatet sipas rasteve konkrete: testosteroni do të përdoret për personat transgjinorë nga femër në mashkull, ndërsa estrogjeni dhe anti-androgjenët për personat nga mashkull në femër.
Deri më sot, shumë persona transgjinorë në Shqipëri janë detyruar të sigurojnë trajtim jashtë vendit ose përmes rrugëve jozyrtare brenda vendit, duke u përballur me kosto të larta dhe mungesë të mbikëqyrjes së duhur mjekësore












