Sot u mbajt ceremonia e certifikimit të 16 zyrtarëve për programe dhe çështje sociale të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët me sukses përfunduan trajnimin për zbatimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.
Për këtë ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) duke treguar se ky certifikim u mbështet nga Këshilli i Evropës.
Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe Zëvendësshefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Nichola Howson.
“Me këtë rast, drejtuesit institucionalë theksuan rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve profesionale për trajtimin rehabilitues të kryerësve të dhunës me bazë gjinore, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe parimet e Konventës së Stambollit.” thuhet në njoftim.
Sipas ShKK-së, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se ky certifikim përfaqëson një avancim të rëndësishëm institucional dhe një hap konkret drejt zgjerimit të programeve rehabilituese në të gjitha institucionet korrektuese të vendit.
“Ky certifikim nuk është vetëm një arritje profesionale për zyrtarët tanë, por edhe një avancim i rëndësishëm për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Përmes këtij procesi po rrisim kapacitetet tona për zbatimin e programeve rehabilituese më cilësore dhe për zgjerimin e këtij programi edhe në institucionet tjera korrektuese”, njoftohet të ketë thënë Dibrani.
Ai shtoi se deri më tani programi është zbatuar vetëm në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ndërsa tashmë, falë mbështetjes së Këshillit të Evropës dhe angazhimit të stafit profesional, janë krijuar kushtet që ky program të shtrihet në të gjitha institucionet korrektuese të Kosovës.
Në fjalën e saj, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njoftohet se theksoi se luftimi i dhunës ndaj grave kërkon qasje të plotë institucionale, ku mbështetja dhe siguria e viktimave mbeten prioritet, ndërsa kryerësit e dhunës duhet të përballen me përgjegjësi dhe trajtim institucional.
“Siguria dhe mbështetja e viktimave duhet të jenë të pakompromis, ndërsa kryerësit e dhunës duhet të marrin dënimin e merituar. Nuk mjafton të punohet vetëm me viktimën, përderisa kryerësi vazhdon të mbetet me të njëjtën mendësi dhunuese dhe të përsërisë ciklin e dhunës. Prandaj, trajtimi i dhunuesve është i domosdoshëm për të parandaluar përsëritjen e rasteve të dhunës”, deklaroi Gërvalla.
Ndërkaq, Zëvendësshefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Nichola Howson, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në forcimin e mekanizmave rehabilitues dhe theksoi rëndësinë e investimit në programe që kontribuojnë në parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt.
“Trajtimi profesional i kryerësve të dhunës ndaj grave mbetet një komponent i rëndësishëm në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe në avancimin e sistemit korrektues drejt standardeve moderne rehabilituese.“ thuhet në postimin e publikuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.













