Katër persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën kur një tren goditi një minibus shkolle në veri të Belgjikës të martën, tha zëvendëskryeministri i vendit.
Siç raporton Euronews, incidenti ndodhi në një kalim hekurudhor në Buggenhout dhe aktualisht po zhvillohet një hetim për shkakun e aksidentit.
“Një përplasje tragjike midis një treni dhe një autobusi shkollor ndodhi këtë mëngjes në Buggenhout. Katër persona kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë,” shkroi Maxime Prevot në rrjetin social X.
Fëmijët ishin 15 dhe 12 vjeç, tha zyra e prokurorit publik në një konferencë për media.
Një zëdhënës i policisë tha për mediat se në minibus ndodheshin shtatë fëmijë, një shoqëruese dhe një shofer.
Pesë fëmijët e tjerë që ndodheshin në automjet u dërguan në spital në gjendje kritike, por tani thuhet se janë stabilizuar.
Po ashtu humbën jetën një mësuese 27-vjeçare dhe shoferi i autobusit 49-vjeçar.
Mediat belge publikuan imazhe të një minibusi të dëmtuar rëndë, të shtrirë në anë të rrugës pranë një linje hekurudhore, ndërsa ekipet e emergjencës kishin vendosur tenda në zonë.
“Përplasja ishte jashtëzakonisht e dhunshme,” tha zëdhënësi i policisë Frederic Sacre, duke e përshkruar ngjarjen si “tragjike”.
“Ajo ndodhi rreth orës 08:08 të mëngjesit, kur minibusi u godit nga një tren që duhej të ndalonte në stacionin e radhës, rreth një kilometër larg,” tha ai.
Ministri i brendshëm belg Bernard Quintin shkroi në X se “mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre”.
“U uroj të plagosurve shumë forcë,” shkroi ai.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga aksidenti.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjet e viktimave dhe të dashurit e tyre. Sot, Europa mban zi me Belgjikën,” tha ajo në një postim online.













