“Familja Jonë” këtë të diel vjen me një program që trajton tema të ndryshme, ku në mesin e tyre trajtohet edhe një çështje shumë e rëndësishme e shoqërisë së sotme: shëndeti mendor.
Në qendër të emisionit shtrohet pyetja: kur mendja ka nevojë për ndihmë dhe si mund ta kuptojmë këtë në kohë? Së bashku me psikologen Ibelinda Halili, trajtojmë shenjat, sfidat dhe mënyrat e kujdesit ndaj shëndetit mendor, përmes një bisede të hapur, profesionale dhe të ndjeshme.
Në pjesën e dytë të emisionit, fokusi zhvendoset te shëndeti i syve. Në bashkëpunim me Klinikën Gjermane të Syve, sjellim këshilla praktike dhe informacione të rëndësishme për kujdesin ndaj shikimit dhe parandalimin e problemeve të ndryshme të syve.
Në bllokun e tretë prezantojmë platformën online “Hajde Folim”, një nismë që synon të krijojë hapësirë të sigurt komunikimi, mbështetjeje dhe informimi, duke nxitur dialogun dhe ndërgjegjësimin në shoqëri.
Nga terreni sjellim atmosferën e panairit të shkencës, i cili u zhvillua në Shkollën Finlandeze, ku nxënësit prezantojnë projekte inovative, ide kreative dhe eksperimente që pasqyrojnë talentin dhe përkushtimin e tyre në fushën e shkencës.
Ndërsa në pjesën përmbyllëse të emisionit, ju sjellim ekspozitën “Fuqia Brenda Nesh”, një ekspozitë që përmes artit pasqyron rrugëtimin, sfidat dhe forcën e brendshme të grave Rome, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë.
Për këto dhe shumë materiale të tjera, ju ftojmë të na ndiqni këtë të diel nga ora 16:00 në Kanal 10.













