Në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për herë të parë është realizuar me sukses biopsia e pankreasit përmes ultrasonografisë endoskopike (EUS) me gjilpërë FNB, te një paciente 60-vjeçare. Deri më tani, raste të tilla janë kryer jashtë institucioneve publike.
Ky intervenim modern diagnostik paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve gastroenterologjike dhe hepatologjike në QKUK, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të stafit profesional të Klinikës së Gastroenterologjisë në ofrimin e metodave bashkëkohore diagnostikuese dhe trajtuese për pacientët.
Procedura është realizuar nga ekipi specialistik i Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji si dhe stafi infermieror, në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e Anesteziologjisë, i cili ka menaxhuar me profesionalizëm kujdesin gjatë dhe pas procedurës. Pacientja ka qenë nën monitorim për 24 orë dhe më pas është liruar nga klinika në gjendje të mirë shëndetësore.
Realizimi me sukses i kësaj procedure përbën një arritje të rëndësishme për sistemin shëndetësor publik në Kosovë, duke hapur rrugë për diagnostikim më të saktë dhe më të hershëm të sëmundjeve të pankreasit përmes metodave minimale invazive dhe me standarde të larta profesionale.












