Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, që shënohet më 15 maj, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare organizoi një aktivitet kushtuar familjes dhe mbrojtjes së fëmijëve.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionesh, organizata të shoqërisë civile, prindër dhe fëmijë.
Ngjyra, aktivitete dhe pika artistike i dhanë gjallëri këtij organizimi.
Aktivitetin e hapi Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
“Sot kemi vendosur të jemi së bashku në një atmosferë festive me fëmijë, prindër dhe gjyshër të rinj, duke festuar rëndësinë e familjes në shoqërinë tonë. Slogani i këtij viti është ‘Shteti fillon me familjen’, sepse në familje fillojnë edukimi, solidariteti, respekti dhe kujdesi për njëri-tjetrin.” tha Hoti.
Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilet prezantuan punën e tyre dhe kërkuan më shumë angazhim institucional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Në kuadër të kësaj dite, u ndanë mirënjohje edhe për gazetarë dhe përfaqësues të mediave, për kontributin e tyre në trajtimin e çështjeve sociale dhe familjare.
Gazetarja dhe drejtoresha e produksionit “Familja Jonë”, Saranda Bujupi-Rama, u vlerësua për kontributin shumëvjeçar në trajtimin e temave sociale, familjare, shëndetësore dhe kulturore.

“Një vlerësim dhe mirënjohje e tillë është motiv për të vazhduar me më shumë përgjegjësi, profesionalizëm dhe ndjeshmëri në trajtimin e temave edukative që i shërbejnë familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, ashtu siç bën ‘Familja Jonë’ tash e 11 vite.” u shpreh Bujupi Rama.

Mirënjohje morën edhe gazetarët Leonora Kolukaj, Medijana Rrahmani, Selim Miftari dhe Shqipe Pajaziti, për raportimin e temave që lidhen me të drejtat e fëmijëve dhe evidentimin e parregullsive.
Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësuan edhe rolin e mediave në raportimin e çështjeve që lidhen me familjen dhe fëmijët.
“Personalisht shpreh mirënjohje për punën e mediave, të cilat përcjellin jo vetëm punën e institucioneve publike, por edhe atë të organizatave, ku edhe ne si organizatë, mendoj dhe e them pa modesti, kemi luajtur dhe vazhdojmë të luajmë një rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien e familjes kosovare.” tha për Familja Jonë, Sebahate Hajdini Beqiri, drejtoreshë e Down Syndrome Kosova.
Nga organizatat jo-qeveritare u dhanë edhe rekomandime për raportimin e temave të ndjeshme që përfshijnë fëmijët.
“Këshillë personale, por edhe në nivel organizate, është që gazetarët dhe të gjitha shtëpitë mediale e portalet ta kenë si parim mbrojtjen e dinjitetit të fëmijëve në raportim, etikën në gazetari dhe të gjithë elementët që e përbëjnë një gazetari cilësore.” bëri thirrje Remzie Krasniqi, Drejtor për Avokim dhe këshilltare për Edukim në Sos Fshatrat e Kosovës.
Dinjitin dhe rëndësin që ka privatësia e fëmijëve e theksoi edhe Egzona Gashi, Koordinatore e Qendrës Ditore për Fëmije në Situatë Rruge, nga organizata Terre des Hommes.
“Do të doja që përmes kësaj dite të jap një mesazh që mediat të promovojnë punën dhe nevojat që kanë fëmijët dhe familjet, sidomos grupet e cenueshme, por gjithmonë duke pasur kujdes që të ruhet konfidencialiteti dhe respekti ndaj fëmijëve në veçanti. Ata (fëmijët) janë në një moshë ku, ndoshta më vonë, kur të rriten, mund të mos ndihen rehat duke e parë veten të ekspozuar në media.” shpjegoi Gashi.
Aktiviteti u përmbyll me pika artistike që i dhanë atmosferë dhe ngjyra kësaj dite kushtuar familjes.














