Enj, Maj 14, 2026
Banner Top
Banner Top

Në kohën kur Kosova po përballet me raste të reja të fruthit, po bëhen thirrje për vaksinim sa më të shpejtë të fëmijëve, duke e konsideruar vaksinën si mënyrën më të sigurt dhe më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në një prononcim për Gazetën Shneta, Dr. Xhevrije Canolli nga Njësia e Imunizimit tha se situata kërkon vëmendje serioze, pasi fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet me shpejtësi në komunitet, por që mund të parandalohet përmes vaksinimit.

Sipas saj, paraqitja e rasteve të reja me fruth, identifikimi i fëmijëve të pavaksinuar dhe kontaktimi i prindërve nga ekipet e vaksinimit përmes telefonit, si dhe thirrjet publike nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë ndikuar në rritjen e interesimit për vaksinim.

“Vetëm gjatë 12 ditëve të para të muajit maj janë vaksinuar 304 fëmijë të grupmoshës 1 deri në 5 vjeç kundër fruthit”, tha Dr. Canolli.

Ajo bëri të ditur se gjatë periudhës janar-prill janë vaksinuar gjithsej 686 fëmijë kundër fruthit, ndërsa nga janari 2026 deri më sot numri total i fëmijëve të vaksinuar ka arritur në 990.

Sipas Dr. Canolli, më të rrezikuar nga fruthi mbeten fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5-vjeçare.

“Vaksinimi mbetet mënyra e vetme më e sigurt dhe më efektive në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të fruthit në vendin tonë”, theksoi ajo.

Në fund, Canolli u bëri thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë sa më parë në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare.

“Të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët, pasi vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive”, apeloi ajo.

Youtube

Arkiva

Kategoritë