Nutricionistja e emisionit “Familja Jonë”, Albulena Shabani Ilazi, ka folur për rëndësinë e mënyrës së ruajtjes dhe përgatitjes së perimeve gjatë gatimit, me theks të veçantë te qepa, e cila sipas saj kërkon kujdes të shtuar sapo të pritet.
Ajo ka bërë të ditur se shumë persona e kanë zakon që qepën ta presin paraprakisht dhe ta lënë të ekspozuar për një kohë të gjatë gjatë përgatitjes së ushqimit, por kjo nuk rekomandohet nga aspekti ushqimor dhe higjienik.
Sipas nutricionistes, qepa duhet të pritet në fund të procesit të gatimit, në mënyrë që të shmanget kontakti i gjatë me ajrin dhe mikroorganizmat e ambientit.
“Ideja është që të mos e lëmë shumë të hapur qepën, për shkak që të mos marrë mikroorganizma nga ambienti përreth”, thotë nutricionistja.
Ajo shpjegon se në momentin kur perimet priten, ato fillojnë të humbin gradualisht disa nga vetitë e tyre ushqyese, pasi aktivizohet procesi i degradimit të enzimave. Kjo ndodh te të gjitha perimet, por sipas saj, te qepa ky proces zhvillohet më shpejt krahasuar me disa produkte të tjera ushqimore.
“Por qepa e ka këtë proces pak më të shpejtë”, shton ajo.
Shabani Ilazi thekson se mënyra e përgatitjes së ushqimit ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në shijen, por edhe në cilësinë ushqyese dhe sigurinë e tij. Për këtë arsye, ajo rekomandon që gjatë gatimit të organizohet puna në mënyrë që qepa të copëtohet vetëm pak para se të hidhet në tenxhere apo tigan.
Sipas saj, menjëherë pasi qepa të jetë prerë, duhet të vazhdohet direkt me gatimin e saj dhe të mos lihet të qëndrojë për një kohë të gjatë në temperaturë ambienti. Kjo ndihmon në ruajtjen më të mirë të përbërësve të saj dhe zvogëlon mundësinë e ekspozimit ndaj faktorëve të jashtëm.













