Nutricionistja e emisionit “Familja Jonë”, Albulena Shabani Iazi, ka ndarë këshilla të rëndësishme lidhur me vlerat ushqyese të miellit të misrit dhe ndikimin që ai ka në shëndetin e organizmit.
Sipas nutricionistes, përfshirja e miellit të misrit në regjimin ushqimor rekomandohet të bëhet dy deri në tri herë në javë. Ajo shpjegon se ky lloj mielli është veçanërisht i dobishëm për personat që kanë probleme me tretjen dhe konstipacionin, pasi ndihmon funksionimin më të mirë të sistemit tretës dhe lëvizshmërinë e zorrëve.
“Është shumë e rëndësishme me përdor miellin e misrit, pasi që i ndihmon lëvizshmërisë së zorrës”, shpjegon ajo.
Tutje, nutricionistja vlerëson se mielli i misrit, përveçse është ushqim tradicional, përmban edhe vlera të rëndësishme ushqyese që mund të kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme të organizmit. Ajo rekomandon që konsumimi i tij të bëhet në kombinime të shëndetshme dhe në sasi të kontrolluara, në mënyrë që organizmi të përfitojë maksimalisht nga vlerat që ofron.
Nutricionistja foli edhe për një nga ushqimet më të preferuara tradicionale në vend, përsheshin me bukë misri dhe qumësht. Megjithëse ky kombinim vazhdon të konsumohet gjerësisht nga shumë familje, ajo sugjeron që të shmanget konsumimi i tij gjatë orëve të mbrëmjes dhe të preferohet më shumë në mëngjes ose gjatë ditës.
“Ajo preferohet në mëngjes më shumë, kryesisht në mëngjes preferohet për shkak se ka indeks glikemik të lartë, plus qumështi, plus për shembull ata që kanë hipertension i hedhin sasi të lartë të kripës”, shpjegon Shabani Iazi, duke theksuar se përdorimi i tepërt i kripës mund të ndikojë negativisht te personat që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe probleme të tjera shëndetësore.
Ajo shton se ky përshesh mund të kombinohet edhe me mazë lope.
Gjatë emisionit, nutricionistja foli në detaje edhe për përgatitjen e bukës së misrit në formë pogaçeje, duke treguar hap pas hapi përbërësit dhe procedurën e gatimit. Ajo ndau këshilla praktike për mënyrën e përgatitjes së saj, duke potencuar rëndësinë e ushqimeve tradicionale të kombinuara me shprehi të shëndetshme ushqimore.
Videon e plotë, ku Shabani Iazi flet më gjerësisht për vlerat e miellit të misrit, përfitimet shëndetësore dhe mënyrën e përgatitjes së bukës së misrit, mund ta gjeni më poshtë.













