Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Kosova po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Tuttofood 2026”, i cili po mbahet në Milano të Italisë, që fillon më 11 dhe mbaron më 14 maj 2026, ku po përfaqësohet nga 10 kompani vendore që po prezantojnë produktet e tyre para blerësve, partnerëve potencialë dhe vizitorëve nga mbarë bota.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare është organizuar nga MINTI, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila ka siguruar hapësirën ekspozuese prej 90 metra katror për prezantimin e kompanive kosovare.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë, kompanitë pjesëmarrëse në këtë edicion të panairit janë: “Frutti Sh.p.k., “Happy Sh.p.k.”, “Vitafood Sh.p.k.”, “Camel Sh.p.k.”, “Perfect Paper Cups L.L.C.”, “Ask Foods Sh.p.k.”, “N.P.T Afri Trade”, “Agro-Florentina Sh.p.k.”, “Natopia Sh.p.k.” dhe “Abi Progress 2000 L.L.C.”.



Sipas ministrisë, në këtë panair, kompanitë nga Kosova po ekspozojnë një gamë të gjerë produktesh, duke përfshirë: produkte të industrisë përpunuese ushqimore, produkte të thata nga frutat dhe perimet, produkte konditorike, lëngje frutash, këpurdha, fruta mali, si dhe produkte të tjera industriale si letra të lagura dhe gota letre.
“Pjesëmarrja në “Tuttofood 2026” përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare me kompani dhe distributorë nga tregjet ndërkombëtare.” ka vlerësuar MINTI.
Tutje është bërë e ditur se shtandi i Kosovës është i vendosur në pavijonin 6, stenda nr. G31 dhe panairi do të jetë i hapur për vizitorë deri më 14 maj 2026.













