Farmacistja Ajtene Osmani ka dhënë një sqarim të rëndësishëm lidhur me mënyrën e ruajtjes së barnave, duke theksuar se vendosja e tabletave në kuti për organizim ditor gjatë gjithë javës mund të mos jetë gjithmonë praktikë e sigurt për cilësinë e tyre.
Ajo rekomandon që personat që janë në terapi të rregullt të kenë kujdes të veçantë në mënyrën se si i ruajnë barnat, pasi kushtet e ambientit dhe mënyra e paketimit mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe efektin e tyre.
Gjatë një interviste për emisionin Familja Jonë, Osmani theksoi se një nga faktorët kryesorë që shpesh neglizhohet është lagështia, e cila mund të ndikojë negativisht në barnat nëse ato nuk ruhen në paketimin e tyre origjinal.
“Ne, në bazë të udhëtimit që bëjmë (në vende të ndryshme), mund të ketë lagështi dhe ne nuk mund ta dimë a ka lagështi. Transporti është shumë i rëndësishëm, ruajtja e barnave është shumë e rëndësishme. Nuk preferohet lagështia”, shpjegon ajo.
Sipas saj, edhe gjatë përdorimit të përditshëm, mënyra e ruajtjes së barnave nuk duhet të anashkalohet, pasi ekspozimi ndaj kushteve të papërshtatshme mund të ndikojë në stabilitetin e tyre.
Në këtë kontekst, Osmani këshillon që në rastet kur pacientët përdorin kuti javore për organizimin e terapisë, barnat të mos nxirren nga blisteri i tyre origjinal. Sipas saj, është më e sigurt që ato të vendosen në kuti duke mbetur në paketimin mbrojtës.
“Jo rastësisht barnat janë të paketuara dhe e kanë mbështjellësin”, shton ajo.
Farmacistja thekson se paketimi origjinal i barnave është i dizajnuar për t’i mbrojtur ato nga faktorë të jashtëm si lagështia, drita dhe ndryshimet e temperaturës, të cilat mund të ndikojnë në efektivitetin e tyre.
Në fund, ajo rikujton se përdorimi i barnave nuk lidhet vetëm me marrjen e tyre në kohën e duhur, por edhe me ruajtjen e duhur të tyre, si një pjesë e rëndësishme e trajtimit të suksesshëm.
Në videon më poshtë gjeni shpjegimin e plotë të farmacistes për këtë temë.
Kurse më poshtë gjeni videon e plotë të intervistës me farmacisten Ajtene Osmani, ku ajo flet për përdorimin e drejtë të medikamenteve dhe suplementeve.













