Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ekipi i mjekëve specialistë gjinekologë ka realizuar me sukses një operacion sfidues te pacientja H.M., e diagnostikuar me kancer të vezoreve në stad të avancuar (Stadi IIB).
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është shprehur se ky sukses mjekësor vjen si rezultat i profesionalizmit të ekipit të gjinekologëve dhe stafit mbështetës, duke konfirmuar kapacitetet e spitalit për trajtimin e rasteve të rënda.
”Për shkak të natyrës së sëmundjes, operacioni ka përfshirë një procedurë të gjerë kirurgjikale për eliminimin e pjesës malinje, duke kryer histerektomi totale me adneksektomi bilaterale (largimin e mitrës bashkë me të dyja vezoret dhe tubat e Fallopit).” ka njoftuar spitali duke shtuar se po ashtu, u krye omentektomi infra-kolike (largimi i cipës dhjamore të zorrëve) dhe apendektomi (largimi i zorrës së verbër).
Tutje në njoftim është theksuar se ndërhyrja u udhëhoq nga mjekët specialistë: Arben Hajrizi, Granit Zogaj dhe Vjollca Çitaku, specialistë të gjinekologjisë, Arbër Bardhaj, specialist i anesteziologjisë, Xhemë Peci, teknik i anestezionit, si dhe instrumentaret Besarta Tahiri dhe Vildane Aliu.













