Mër, Pri 22, 2026
Banner Top
Banner Top
Fillon për herë të parë skriningun neonatal në Spitalin e Mitrovicës

​Në Spitalin e Përgjithshëm ” Dr. Sami Haxbibeqiri” në Mitrovicë ka nisur për herë të parë procesi i marrjes së mostrave për skriningun (testimin) neonatal tek foshnjat e porsalindura.

Kështu ka bërë të ditur vetë ky spital duek shpjeguar se ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Klinikën e Neonatologjisë.

​Spitali ka shpjeguar se skriningu neonatal është një procedurë mjekësore ku përmes disa pikave të gjakut të marrë nga foshnja (zakonisht në thembër) pas lindjes, mundësohet zbulimi i hershëm i disa sëmundjeve të lindura metabolike ose gjenetike.

Qëllimi është që sëmundjet të identifikohen para se të shfaqen simptomat, në mënyrë që foshnja të marrë trajtimin e duhur menjëherë, duke parandaluar kështu komplikimet e rënda shëndetësore apo dëmtimet e përhershme.

​”Për të parë nga afër fillimin e këtij procesi në Repartin e Neonatologjisë, ishin të pranishëm drejtori ekzekutiv, Gëzim Berisha, dhe u.d. drejtori mjekësor, Dr. Qenan Çabra. Ata u njoftuan nga shefi i shërbimit të Neonatologjisë, Dr. Agim Sherifi, se mostrat e para janë marrë tashmë tek disa foshnje të porsalindura dhe se zbatimi i projektit ka nisur me sukses të plotë.” thuhet në njoftim.

Spitalin e Përgjithshëm ” Dr. Sami Haxbibeqiri” në Mitrovicë e ka quajtur këtë hap një arritje të madhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

​”Me këtë rast, menaxhmenti i Spitalit shpreh një falënderim të veçantë për ShSKUK-në dhe Klinikën e Neonatologjisë për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti, si dhe për furnizimin e rregullt me reagensët e nevojshëm.” thuhet tutje në njoftim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë