Mar, Pri 21, 2026
Banner Top
Banner Top

Një studim i ri tregon se trajtimi i hershëm mund të ndihmojë shumicën e fëmijëve me autizëm që nuk flasin të zhvillojnë aftësi verbale. Sipas rezultateve të publikuara në “Journal of Clinical Child and Adolescent Psychology”, rreth dy të tretat e fëmijëve autikë jofolës fituan aftësinë për të përdorur fjalë të vetme pas ndërhyrjes së hershme.

Rreth 1 në 3 fëmijë të diagnostikuar me autizëm janë jofolës. Studiuesit theksojnë se nëse këta fëmijë nuk zhvillojnë gjuhë të folur gjatë viteve parashkollore, ata përballen me rrezik më të lartë për vështirësi funksionale dhe aftësi të kufizuara më vonë në jetë. Për këtë arsye, zhvillimi i gjuhës është një objektiv kryesor i ndërhyrjeve të hershme, shkruan burimi Health Day.

Studimi përfshiu 707 fëmijë parashkollorë me autizëm, të cilët morën forma të ndryshme trajtimi për një periudhë nga gjashtë muaj deri në dy vjet, për të paktën 10 orë në javë.

Programet synonin zhvillimin e gjuhës së folur dhe aftësive të tjera të komunikimit. Në fund të ndërhyrjes, rreth gjysma e fëmijëve që fillimisht përdornin pak ose aspak fjalë, arritën të kombinojnë fjalë.

Rezultatet treguan se kohëzgjatja e ndërhyrjes ishte veçanërisht e rëndësishme për fëmijët joverbalë, duke sugjeruar se trajtimi për një periudhë më të gjatë, edhe me më pak orë në javë, mund të jetë më efektiv.

Megjithatë, rreth një e treta e fëmijëve nuk përfituan, kryesisht ata me vlerësime më të ulëta njohëse, motorike dhe sociale në fillim.

Studiuesit vunë re gjithashtu se fëmijët që imitonin veprimet e të tjerëve kishin më shumë gjasa të zhvillonin gjuhë të folur.

Sipas ekspertëve, ndërhyrjet duhet të jenë fleksibile dhe të përshtatura, duke marrë parasysh se jo të gjithë fëmijët përparojnë me të njëjtin ritëm. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë