Organizata jo-qeveritare “Autizmi Flet” e cila ka për qëllim ofrimin e shërbimeve profesionale terapeutike te personat me spektër të autizmit, ka njoftuar për një formë të thjeshtë përmes të cilës qytetarët mund t’i ndihmojnë fëmijët me autizëm.
Sipas njoftimit të kësaj organizate, qytetarët mund të dërgojnë SMS në vlerë prej 1 euro në numrin 55550 për të mbështetur shoqatën “Autizmi Flet”.
“Falë mbështetjes së Vala – Telekomi i Kosovës, çdo SMS i dërguar nga qytetarët është shndërruar në ndihmë konkrete për fëmijët e shoqatës sonë.” ka shkruar shoqata “Autizmi Flet”.

Përtej ndihmës financiare, ata e kanë cilësuar këtë veprim edhe si shpresë për familjet e fëmijëve me autizëm.
“Ju nuk keni dërguar vetëm një mesazh… keni dhënë shpresë, terapi dhe mundësi për shërbime direkte me fëmijë” ka shkruar kjo shoqatë.













