Enj, Pri 16, 2026
Banner Top
Banner Top
Spitali i Mitrovicës dhe institucionet lokale koordinohen për trajtimin e personave me çrregullime mendore dhe abuzuesve të substancave narkotike

Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhi Beqiri” në Mitrovicë, Gëzim Berisha, i shoqëruar nga u.d. drejtori mjekësor, Qenan Çabra dhe specialisti i psikiatrisë,Gëzim Shabani, pritën në një takim pune drejtuesit e institucioneve kyçe të sigurisë dhe mirëqenies sociale në Mitrovicë.

​Në këtë takim morën pjesë edhe z. Ahmet Xhosha, Komandant i Stacionit Jugor të Policisë së Kosovës, z. Ramadan Beshiri, drejtor i Drejtorisê së Mirëqenies Sociale në Komunën e Mitrovicës, si dhe z. Gani Mustafa , drejtor i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Mitrovicë.

​Siç ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhi Beqiri” në Mitrovicë, temë e diskutimit ishte trajtimi i personave me çrregullime mendore dhe atyre që abuzojnë me substanca narkotike, raste këto që kërkojnë ndërhyrje të koordinuar ndërmjet institucioneve shëndetësore, policisë dhe zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale.

“Gjatë takimit, menaxhmenti i Spitalit dhe psikiatri dr. Gëzim Shabani shprehën përkrahjen e plotë të institucionit, duke ofruar ekspertizën profesionale për vlerësimin dhe trajtimin e këtyre rasteve. U theksua se stafi mjekësor është në dispozicion të plotë për të asistuar institucionet e sigurisë dhe ato sociale në çdo kohë.” thuhet në njoftim.

​Duke pasur parasysh mungesën aktuale të një reparti të psikiatrisë brenda Spitalit të Mitrovicës, në njoftim theksohet se palët u dakorduan që të intensifikojnë koordinimin me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Sipas Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhi Beqiri” në Mitrovicë, ky koordinim do të sigurojë që pacientët që kërkojnë trajtim të mbyllur spitalor të transferohen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt drejt nivelit terciar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë