Mar, Mar 31, 2026
Banner Top
Banner Top

Sot u mbajt mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Pas fjalës hyrëse të Kryesueses, mbledhja vazhdoi me raportimin e Drejtorit Ekzekutiv, z. Elvir Azizi, i cili prezantoi aktivitetet dhe zhvillimet kryesore gjatë periudhës raportuese, duke theksuar progresin në shërbimet shëndetësore, sfidat aktuale dhe masat e ndërmarra për përmirësimin e tyre. Ndër të tjera, ai raportoi përparësinë e angazhimit të kardiologut në Klinikën e Neurologjisë si shembull që do të ndiqet aty ku kërkohet shërbim i shpejtë multidisiplinar.
Po ashtu njoftoi për organizimin shpejtë të punës me dy ndërrime në Institutin e Anatomisë Patologjike, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e volumit të shërbimeve, si dhe për nevojën e Poliklinikave Specialistike, të cilat do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve specialistike për qytetarët, në përputhje me spitalet ku do të raportojnë.

Meqenëse çdo iniciativë që sjell prosperitet në këtë sistem publik shëndetësor i takon Ministrisë së Shëndetësisë, Kryesuesja e Bordit, gjatë diskutimit për këtë çështje, propozoi krijimin e një grupi të përbashkët punues për hartimin e një plani veprimi.

Anëtarët e Bordit diskutuan për referimet, historitë dhe fletëlëshimet si pikë të rendit të ditës dhe dhanë rekomandime për veprime konkrete. Dr. Dren Boshnjaku theksoi nevojën që dokumentet e lëshuara nga njësitë përbërëse të SHSKUK-së të jenë të standardizuara dhe të plotësohen në mënyrë sistematike, në mënyrë që dokumentacioni (përfshirë fletëlëshimin) të jetë i përgatitur në tërësi. Për vonesat e fletëlëshimit që pacienti duhet ta marrë me dalje nga spitali, diskutoi Dr. Vjollca Kadolli, ndërsa Kryesuesja e Bordit theksoi domosdoshmërinë e hartimit të protokolleve të reja dhe ndryshimeve në praktikat ekzistuese.

Vendosja e kritereve të qarta për referime, standardizimi i procesit të referimit dhe i plotësimit të formularëve do të parandalonte ngarkimin e panevojshëm të Qendrës Klinike me referime të panevojshme e parakohshme, të cilat mund të trajtoheshin nivelit spitalor. Kryesuesja kërkoi që monitorimi dhe raportimi periodik për referimet të jetë obligativ.

Drejtori Shëndetësor, Dr. Ardian Shefkiu, informoi Bordin Drejtues për reduktimin e listave të pritjes dhe rritjen e dukshme të numrit të intervenimeve kirurgjike krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht në trajtimin e venave varikoze, si dhe për zvogëlimin e mëtejmë të pritjeve falë angazhimit të anesteziologëve të rinj.

Sa i përket sfidave në kompletimin e planit të punës për anesteziologët, Dr. Dren Boshnjaku theksoi nevojën për riorganizim dhe rregullim të bazës statutore të institucioneve përkatëse. Qëllimi është që, brenda njësive përbërëse të SHSKUK-së, të ofrohen shërbime të integruara nën udhëheqje të qartë, duke shmangur mbivendosjen dhe përzierjen e kompetencave që e vështirësojnë menaxhimin dhe llogaridhënien.

Çdo riorganizim i punës, si e drejtë e klinikave, që sjell rritje të efikasitetit të shërbimit për pacientët, duke ruajtur njëkohësisht integritetin institucional, për Bordin Drektues mbetet prioritet, theksoi Tetore Olloni.

Në lidhje me listat e pritjes, ajo theksoi se Bordi Drejtues do të vazhdojë të jetë i angazhuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin Ekzekutiv për zvogëlimin e tyre, duke kundërshtuar qartë binomin listë pritjeje – nënperformancë.

Sa i përket Kirurgjisë Vaskulare dhe reduktimit të listave të pritjes, u theksua se Kirurgjia Vaskulare është pikë referimi në nivel vendi dhe se operimet e venave varikoze nuk janë i vetmi shërbim që kryhet aty. Një numër i madh intervenimesh emergjente dhe jetike në enë gjaku realizohen çdo ditë nga 15 kirurgët vaskularë, ndërsa shfrytëzimi i sallave operative është i plotë. Meqë klinika posedon 24 shtretër dhe aty kryhen me sukses edhe amputimet për shputën diabetike, Kryesuesja e Bordit, Tetore Olloni, deklaroi se Bordi do të kërkojë emërimin e një grupi punues për propozime konkrete dhe një plan veprimi.

Dr. Dren Boshnjaku ngriti çështjen e stroke-it, për të cilën, me kërkesë të Bordit Drejtues, është themeluar një grup punues me qëllim përfshirjen e saj në planin e LuxDev-it. Ndërkaq, nga Dr. Rrezarta Bajrami u kërkuan të dhëna nga marrëveshja e bashkëpunimit mes SHSKUK-së dhe Fakultetit të Mjekësisë.

Në mbledhje u prezantua edhe draft-Plani i Punës 2026 për shqyrtim, i cili do të plotësohet me komentet e anëtarëve të Bordit Drejtues para finalizimit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë