Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, specialistët e kardiologjisë kryejnë në baza ditore ergometrinë (e njohur ndryshe si testi i ngarkesës). Siç njofton spitali, kjo pajisje mbetet një nga mjetet diagnostikuese më të fuqishme dhe të pazëvendësueshme.
“Përdorimi i rregullt i ergometrisë në spital ka rritur ndjeshëm saktësinë e diagnozave, duke shmangur transferimet e panevojshme drejt QKUK, duke ofruar trajtim të shpejtë e cilësor brenda qytetit të Mitrovicës.” theksohet në njoftimin e spitalit.

Aty tutje theksohet se kjo pajisje mat performancën e zemrës në kushte të sforcimit fizik, duke u ofruar mjekëve një pamje të qartë të funksionimit të sistemit kardiovaskular. Mjekët spitalit e përdorin ergometrinë çdo ditë për të kontrolluar pacientët që kanë ankesa si: dhimbje gjoksi, rrahje të shpeshta të zemrës (takikardi).
“Përmes ekzaminimit të dhjetëra pacientëve brenda ditës, stafi mjekësor arrin të parandalojë sëmundje të rënda kardiake, si infarkti, falë zbulimit të hershëm të patologjive.” bëhet e ditur në njoftim.














