Pre, Mar 27, 2026
Banner Top
Banner Top

Kanceri ovarian është një sëmundje serioze që prek vezoret, organet e vogla në formë bajame që kanë rol kyç në riprodhimin e gruas. Ajo që e bën këtë kancer veçanërisht të rrezikshëm është fakti se simptomat e tij janë shpesh shumë të lehta dhe jo specifike, duke bërë që të kalojnë pa u vënë re për një kohë të gjatë. 

Për pasojë, shumica e grave diagnostikohen vetëm kur sëmundja është në fazë të avancuar. Megjithatë, kur kanceri ovarian zbulohet herët, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare arrin deri në 90 për qind.

Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, mbi 20,000 gra diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.

Rreziku për zhvillimin e kancerit ovarian është më i lartë tek gratë mbi moshën 50 vjeç, ndonëse ai mund të shfaqet edhe tek gratë më të reja.

Faktorë të rëndësishëm rreziku përfshijnë historinë familjare të kancerit të gjirit, zorrës së trashë apo endometrit, si dhe praninë e mutacioneve gjenetike BRCA1 dhe BRCA2.

Faktorë të tjerë si obeziteti, dieta e pasur me yndyrë dhe përdorimi i talkut në zonën gjenitale janë përmendur, por ende nuk janë plotësisht të konfirmuar.

Nga ana tjetër, shtatzënia, ushqyerja me gji dhe përdorimi i kontraceptivëve oralë duket se e ulin rrezikun.

Studimet tregojnë se kontraceptivët oralë mund ta përgjysmojnë këtë rrezik, ndërsa ata me përmbajtje të lartë progestine e ulin edhe më tej.

Shenjat paralajmëruese përfshijnë fryrje të vazhdueshme, dhimbje barku ose legeni, ndryshime në jashtëqitje, lodhje, urinim të shpeshtë dhe dhimbje gjatë marrëdhënieve intime. Nëse këto simptoma përsëriten, konsultimi me mjekun është thelbësor për zbulim sa më të hershëm.

Youtube

Arkiva

Kategoritë