Shkruan: Krenare Hoti
Ankthi dhe depresioni janë ndër shqetësimet më të përhapura të shëndetit mendor në ditët e sotme. Shpesh ato trajtohen vetëm si probleme psikologjike, por shkenca mjekësore tregon se në shumë raste, pas këtyre simptomave fshihet një faktor i rëndësishëm biologjik: çekuilibri hormonal.
Në këtë intervistë për Familja Jonë, endokrinologu Dr. Almedin Ramizi sqaron rolin e hormoneve në shëndetin emocional, shpjegon cilat hormone lidhen më shpesh me ankthin dhe depresionin, kur duhet dyshuar për një shkak hormonal dhe nëse trajtimi hormonal mjafton për përmirësimin e këtyre gjendjeve.
Lexoni intervisten e plotë për të kuptuar detajet.
- Si ndikojnë hormonet në gjendjen emocionale dhe shëndetin mendor të njeriut?
Hormonet luajnë një rol kyç në rregullimin e gjendjes emocionale dhe shëndetit mendor sepse ato ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e trurit, neurotransmetuesit dhe reagimin ndaj stresit.
Hormonet janë lajmëtarë kimikë që prodhohen nga gjëndrat endokrine dhe veprojnë në tru duke ndikuar në: humorin, ankthin, motivimin, përqendrimin, gjumin dhe sjelljen emocionale.
2. A mund të shkaktojnë hormonet ankth ose depresion?
Po, hormonet mund të shkaktojnë ankth ose depresion. Në shumë raste, çrregullimet emocionale janë pasojë direkte e çekuilibrit hormonal, dhe jo vetëm probleme psikologjike.
Hormonet ndikojnë drejtpërdrejt në neurotransmetuesit e trurit (serotoninë, dopaminë, GABA), të cilët rregullojnë: humorin, qetësinë, motivimin, reagimin ndaj stresit etj. Kur kjo balancë prishet → shfaqen ankthi dhe depresioni.
3. Cilat hormone lidhen më shpesh me ankthin dhe depresionin?
Hormonet kryesore të lidhura me ankthin dhe depresionin janë:
Hormonet e gjëndrës tiroide (T3, T4, TSH); Kortizoli; Serotonina; Dopamina; Estrogjeni; Progesteroni; Testosteroni; Insulina(shpesh e lidhur me obezitetin dhe PCOS).
4. Kur duhet të dyshohet se simptomat e ankthit ose depresionit kanë shkak hormonal?
Situatat kryesore kur duhet dyshuar shkak hormonal janë:
- Fillim i papritur i simptomave
- Simptoma rezistente ndaj trajtimit
- Ankth ose depresion i shoqëruar me: rrahje të shpejta të zemrës, dridhje, djersitje, intolerancë ndaj nxehtësisë ose të ftohtit, lodhje e vazhdueshme, rënie ose shtim i peshës, rënie flokësh, lëkurë e thatë, çrregullime të gjumit.
5. A mjafton trajtimi hormonal për përmirësimin e këtyre simptomave?
Trajtimi hormonal është shpesh thelbësor, por jo gjithmonë i mjaftueshëm për përmirësimin e plotë të ankthit dhe depresionit. Efekti varet nga shkaku, kohëzgjatja e simptomave dhe përfshirja e trurit.
6. Çfarë këshille do t’u jepnit personave që përjetojnë ankth ose depresion të zgjatur nga hormonet?
Personave që përjetojnë ankth ose depresion të zgjatur me origjinë hormonale, këshilla kryesore është: mos e neglizhoni dhe mos e trajtoni vetëm si problem psikologjik. Këto simptoma janë reale, të shpjegueshme biologjikisht dhe të trajtueshme.
Kërkoni vlerësim mjekësor të plotë duke konsultuar endokrinologun.












