Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga Italian Civil Protection nga Italia, i cili përfshin 30 paleta dezinfektues për duar, me vlerë të përgjithshme rreth 80,000 euro.
Këtë njoftim e ka bërë të ditur ShSKUK ku thuhet se donacioni përfshin po ashtu, të gjitha shpenzimet e transportit dhe logjistikës të mbuluara nga pala italiane.
“Në këtë ngjarje morën pjesë, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ministri në detyrë i shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, u.d. drejtori i QKUK-së, Mentor Zejnullahu.” thuhet në njoftim.

Sipas ShSKUK-së, Ky kontribut vjen si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Italisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë dhe është pjesë integrale e projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”, përmes të cilit Italia ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike brenda SHSKUK-së.
Me këtë rast, Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini, theksoi se ky donacion është dëshmi e partneritetit të fortë dhe solidaritetit mes dy vendeve, duke kujtuar mbështetjen e vazhdueshme italiane në fusha si kardiologjia, kardiokirurgjia, laboratori i mikrobiologjisë, si dhe ndihmën emergjente gjatë pandemisë COVID-19.


Ministri në detyrë i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, shprehu mirënjohjen e institucioneve shëndetësore të vendit për këtë mbështetje, duke theksuar se bashkëpunimi me ekspertët italianë ka mundësuar avancimin e shërbimeve, sidomos në trajtimin e fëmijëve me sëmundje të zemrës dhe në përgatitjen e profesionistëve shëndetësorë, por theksoj edhe ndihmën e madhe që dha Italia gjatë Pandemisë së Covid-19.
Nga Italian Civil Protection, prezent ishte z. Arzen Sehiti, i cili mori pjesë në dorëzim-pranim të donacionit.












