Sht, Qer 27, 2026
Banner Top
Banner Top
Doktoreshë më ndihmo: Jam një nënë e re dhe kam filluar të shqetësohem seriozisht, pasi më duket se mund të kem kancer në gji

Shkruan: Dr. Meritë Rrahmani

Gjatë punës sime si mjeke e përgjithshme, kam pasur rastin të takoj pacientë me patologji të ndryshme. Shpesh, në zyrën time vijnë nëna të reja për kontrolle rutinë ose me ndonjë simptomë të caktuar. 

Kur bisedoj me to, gjithmonë e marr në konsideratë edhe gjendjen e tyre psikologjike,pasi depresioni pas lindjes nuk është një mit por një gjendje reale që ndikon ndjeshëm në përditshmërinë e një nëne të re. 

Prandaj, është thelbësore që nënat të jenë të informuara saktë për trupin e tyre dhe për ndryshimet psikologjike që mund të përjetojnë gjatë kujdesit për veten dhe për fëmijën.

Rasti që më tërhoqi vëmendjen së fundmi ishte ai i një nëne të re që ushqente  beben me gji dhe erdhi në konsultë shumë e shqetësuar, duke dyshuar se kishte kancer të gjirit. Ajo kishte lexuar informacione të ndryshme në internet dhe ishte “vetëdiagnostikuar” me këtë sëmundje.

Simptomat që raportoi përfshinin: 

  • skuqje në gjirin e majtë, 
  • qelb në majën e gjirit, 
  • dhimbje dhe plogështi të përgjithshme. 

Në ekzaminimin fizik, u vunë re të gjitha shenjat klasike të një inflamacioni. Megjithatë, ajo që ishte shqetësuese ishte përfundimi i nxituar dhe i gabuar që kishte arritur përmes vetëdiagnostikimit – që bëhej fjalë për kancer.

Pikërisht për këtë arsye, sot dua të ndalem dhe të bëj një dallim shkurtë dhe të qartë mes kancerit të gjirit dhe mastitit. Informimi i saktë dhe konsultimi me profesionistët shëndetësorë është kyç në shmangien e panikut të panevojshëm dhe në marrjen e trajtimit të duhur.

Mastiti është një inflamacion i gjirit, që zakonisht ndodh tek nënat gjidhënëse. Shkaktohet kryesisht nga bllokimi i kanaleve të qumështit ose një infeksion zakonisht bakterial. Simptomat kryesore përfshijnë:

  • skuqje dhe ngrohtësi në një zonë të gjirit
  • dhimbje e lokalizuar
  • ënjtje
  • qelb ose rrjedhje nga gjiri
  • ethe dhe ndjesi lodhjeje të përgjithshme

Kjo gjendje shpesh është akute ( pernjëherēshme), shfaqet papritur dhe përmirësohet pas diagnostifikimit të saktë të shkaktarit, zakonisht trajtimi bëhet me antibiotikë dhe mbështetje të duhur të gjidhënies.

Kanceri i gjirit, nga ana tjetër, në shumicen e rasteve nuk është i dhimbshëm në fazat e hershme. Shfaqet me disa simptoma si:

  • një masë e fortë dhe e palëvizshme në gji
  • ndryshime në formën ose madhësinë e gjirit
  • tërheqje e thithkës përbrenda
  • rrjedhje e përgjakshme nga thithka
  • ndryshime në lëkurë si “lëkura e portokallit”

Kanceri zakonisht ka rritje progresive dhe pa simptoma të përgjithshme si ethe, temperaturë ose qelb, për dallim nga mastiti që janë simptoma bazë.

Prandaj nëna të dashura:

Mos e vetëdiagnostikoni veten bazuar në informacione vetëm nga interneti. Simptoma të ngjashme mund të kenë shkaqe krejtësisht të ndryshme. Konsultohuni gjithmonë me mjekun për të marrë diagnozën dhe trajtimin e duhur. Frika e panevojshme mund të dëmtojë më shumë se vetë sëmundja. Informimi i saktë dhe ndihma profesionale janë hapi i parë drejt shëndetit të mirë.

Dr. Meritë Rrahmani.

Youtube

Arkiva

Kategoritë