Ndërsa njerëzit plaken, ata mund të përjetojnë ndryshime të caktuara jetësore që ndikojnë në shëndetin e tyre mendor, si përballja me një sëmundje serioze ose humbja e një personi të dashur. Megjithëse shumë njerëz arrijnë të përshtaten me këto ndryshime, disa mund të përjetojnë ndjenja të zisë, izolimit shoqëror ose vetmisë. Kur këto ndjenja zgjasin, ato mund të çojnë në çrregullime mendore, si depresioni dhe ankthi.
Instituti Kombëtar për Shëndetin Mendor (NIMH), që është agjencia kryesore federale për kërkimin mbi çrregullimet mendore dhe që njëkohësisht është edhe pjesë e Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), shpjegon se shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës.
Sipas këtij instituti, ekzistojnë mundësi efektive trajtimi të cilat ndihmojnë të moshuarit të përballen me problemet e shëndetit mendor dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Njohja e shenjave dhe konsultimi me një profesionist shëndetësor janë hapat e parë drejt marrjes së ndihmës.
Cilat janë simptomat e çrregullimeve mendore tek të moshuarit?
- Ndryshime të dukshme në humor, nivel energjie ose oreks
- Ndjenjë boshllëku emocional ose vështirësi për të ndier emocione pozitive
- Vështirësi për të fjetur ose gjumë i tepërt
- Vështirësi në përqendrim, ndjenjë shqetësimi ose tensioni të brendshëm
- Rritje e shqetësimit ose ndjesi stresi
- Zemërim, irritim ose sjellje agresive
- Dhimbje koke të vazhdueshme, probleme me tretjen ose dhimbje trupore
- Përdorim i gabuar i alkoolit ose drogave
- Trishtim ose ndjenjë pashprese
- Mendime për vdekje, vetëvrasje ose përpjekje për vetëvrasje
- Angazhim në sjellje me rrezik të lartë
- Mendime obsesive ose sjellje të detyruara
- Mendime ose sjellje që ndikojnë negativisht në punë, familje ose jetë shoqërore
- Sjellje ose mënyrë të të menduarit që shqetëson të tjerët
- Dëgjim, shikim ose ndjesi të gjërave që të tjerët nuk i përjetojnë
Çrregullimet mendore mund të trajtohen
Një mjek i kujdesit parësor është një vend i mirë për të filluar nëse jeni në kërkim të ndihmës. Ai mund t’ju referojë te një profesionist i kualifikuar i shëndetit mendor, si një psikolog, psikiatër ose punonjës social klinik, i cili mund t’ju ndihmojë të përcaktoni hapat e mëtejshëm. /The National Institute of Mental Health/













