Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mentor Zejnullahu, dje takoi Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Klinikën e Onkologjisë, ku së bashku me drejtoreshën e organizatës “Jeta Vita”, znj. Nafije Latifi, dhuruan 640 proteza të gjirit për pacientet e prekura nga kanceri.
Këtë dje e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – SHSKUK përmes një njoftimi ku thuhet se Zejnullahu falënderoi presidenten për kontributin dhe mbështetjen institucionale për pacientët me sëmundje malinje,duke ofruar bashkëpunim të plotë për realizimin e donacioneve dhe projekteve të mundshme në të ardhmen.


Sipas këtij njoftimi, presidentja Osmani, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e mbështetjes psikologjike dhe morale për pacientet me kancer të gjirit.
“Mbështetja që në shikim të parë duket simbolike, megjithatë ka rëndësi të madhe për fuqizimin psikologjik të pacienteve. Diku 640 pako onkologjike janë si një donacion nga Presidenca. Çdo vit, përmes amendamenteve në buxhet, angazhohemi për rritjen e fondit për listën e barnave esenciale. Diskutuam sot edhe për nevojën për rritjen e stafit dhe për themelimin e një qendre për kujdes paliativ, çështje që po e shtyjmë përpara së bashku me zonjën Nafije Latif”, deklaroi presidentja Osmani.
Drejtoresha e organizatës “Jeta Vita”, znj. Nafije Latifi, theksoi se krijimi i një qendre për kujdes paliativ është domosdoshmëri për Kosovën.
“Jemi mirënjohëse ndaj stafit të Klinikës së Onkologjisë, në krye me drejtorin, për punën e tyre të palodhshme me pacientët më të ndjeshëm”, potencoi ai.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, dr. Ilir Kurtishi, falënderoi institucionet për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e furnizimit të rregullt me barna.
Ai theksoi se numri i pacienteve që trajtojnë gjatë ditës është 200 deri në 250 persona. Sipas tij, vetëm për kancerin e gjirit kanë qenë 330 raste të reja deri në shtator të këtij viti, përfundoi drejtori Kurtishi.













