Pre, Kor 3, 2026
Banner Top
Banner Top
Pejë: Ligjërata ndërgjegjësuese në kuadër të Muajit Rozë për parandalimin e kancerit të gjirit

Në kuadër të Muajit Rozë, Tetorit, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Pejë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh informuese dhe sensibilizuese gjatë javës që lamë pas.

Përmes ligjëratave të mbajtura në disa institucione lokale, synimi kryesor ishte rritja e vetëdijes tek gratë dhe komuniteti në përgjithësi për rëndësinë e kontrollit të rregullt shëndetësor dhe parandalimit të kancerit të gjirit.

Ligjëratat u mbajtën në:

  • Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ramiz Sadiku”, me pjesëmarrje të 20 grave nga stafi i shkollës;
  • Zyrat e Policisë Rajonale në Pejë, ku morën pjesë rreth 50 gra police dhe staf administrativ;
  • Gjimnazin e Pejës, me 65 nxënës të pranishëm;
  • Qendrën Ditore për të Moshuar, me 30 pjesëmarrëse pensioniste.

Gjatë këtyre ligjëratave, ekspertët e shëndetit publik trajtuan tema të rëndësishme si mënyrat e parandalimit të kancerit të gjirit, rëndësinë e stilit të shëndetshëm të jetesës, vetëkontrollin përmes vetëpalpimit të gjirit dhe domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, përfshirë realizimin e mamografisë sipas udhëzimeve të mjekut.

Qëllimi i aktiviteteve ishte ngritja e vetëdijes mbi kujdesin personal shëndetësor, si një hap kyç për parandalimin dhe identifikimin e hershëm të kancerit të gjirit – një ndër sëmundjet më të përhapura te gratë në mbarë botën.

Muaji Rozë vazhdon me aktivitete të tjera në gjithë vendin, me mesazhin që zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë