Festivali i birrës Oktoberfest në Mynih do të qëndrojë i mbyllur sot të paktën deri në orën 17:00 pasi policia tha se zbuloi eksplozivë në një ndërtesë banimi në veriun e qytetit që u përfshi nga zjarri dhe ku një person humbi jetën.
Si pjesë e një operacioni të madh që policia më parë tha se nuk paraqiste rrezik për publikun forcat speciale po hetonin një zonë në veriun e Mynihut ku gazeta Bild dhe raportime të ndryshme të tjera thanë se dëgjuan të shtëna dhe shpërthime.
Policia tha se ndërtesa banimi ishte djegur qëllimisht në një mosmarrëveshje familjare dhe një person që u gjet aty kishte vdekur ndërsa një tjetër ishte i zhdukur por nuk besohej se ishte në rrezik.
Forcat speciale u detyruan të ndërhynin për të çaktivizuar grackat eksplozive të gjetura në ndërtesë sipas policisë.
“Ne po hetojmë të gjitha mundësitë dhe po shqyrtojmë lidhjet e mundshme me vende të tjera në Mynih përfshirë Theresienwiese ku zhvillohet Oktoberfest” tha policia e Mynihut në shërbimin e mesazheve WhatsApp.
Për këtë arsye hapja e terrenit të festivalit është vonuar shtuan policët.
Oktoberfesti festivali më i madh popullor në botë u hap më 20 shtator dhe do të mbyllet më 5 tetor.
Në faqen e saj të internetit Oktoberfesti tha se do të qëndrojë i mbyllur të mërkurën deri në orën 17 në lidhje me shpërthimin në veriun e Mynihut. /Reuters/












