Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht një injeksion të ri për parandalimin e HIV-it, që administrohet vetëm dy herë në vit. Ky ilaç, i quajtur lenacapavir dhe i njohur në treg si Yeytuo, pritet të ndryshojë rrënjësisht qasjen ndaj parandalimit të virusit në Evropë.
Ky vendim erdhi një muaj pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rekomandoi miratimin e medikamentit, i cili tashmë është cilësuar si një nga përparimet më të mëdha mjekësore të vitit 2024.
Në studimet klinike, lenacapavir rezultoi 100% efektiv në parandalimin e HIV-it, duke u konsideruar si një hap i madh drejt reduktimit të rasteve të reja, veçanërisht tek të rinjtë dhe adoleshentët, shkruan Euronews.
Deri më tani, parandalimi i HIV-it është mbështetur kryesisht në pilula ditore (PrEP), por me këtë zhvillim, pacientët do të kenë një opsion më të thjeshtë dhe afatgjatë.
“Miratimi i shpejtë nga Komisioni Evropian tregon potencialin transformues të këtij trajtimi në adresimin e nevojës urgjente për parandalimin e HIV-it në Evropë,” tha Dr. Dietmar Berger, zyrtar i lartë mjekësor në kompaninë farmaceutike Gilead Sciences.
Risia vjen në një kohë kur rastet e HIV-it janë në rritje. Vetëm në vitin 2023, mbi 24,700 raste të reja u regjistruan në BE, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji – një rritje prej 11.8% krahasuar me një vit më parë.
Ilaçi tashmë është miratuar edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe është rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kompania Gilead po kërkon gjithashtu miratimin e tij në vende si Australia, Brazili, Kanadaja, Afrika e Jugut dhe Zvicra, ndërsa planifikon ta zgjerojë në Amerikën Latine.
Për më tepër, Gilead ka rënë dakord që të lejojë prodhimin e versioneve gjenerike të ilaçit në 120 vende me të ardhura të ulëta dhe me shkallë të lartë të HIV-it, megjithëse mbetet e paqartë se sa gjerësisht do të jetë i disponueshëm pas reduktimit të fondeve nga SHBA, dikur donatori kryesor global për shëndetin publik.
Sipas të dhënave të fundit, HIV prek rreth 40.8 milionë njerëz në mbarë botën, ndërsa vetëm vitin e kaluar rreth 630 mijë persona humbën jetën nga sëmundjet e lidhura me AIDS-in.












