Miliona njerëz në mbarë Europën po jetojnë me hepatitin B ose C pa e ditur fare, duke i vënë ata para rrezikut serioz për sëmundje mëlçie dhe kancer, kanë paralajmëruar të hënën autoritetet, raporton Euronews.
Qendra Europiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjes (ECDC) ka shkruar në një raport të ri se rreth pesë milionë persona në Bashkimin Europian, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji po jetojnë me hepatitin kronik B ose C – por shumica prej tyre nuk janë diagnostikuar dhe trajtuar.
Shpesh referuar si “infeksione të heshtura” hepatiti B dhe C mund të jetojnë pa u vërejtur në trup për vite me radhë, duke dëmtuar ngadalë mëlçinë derisa të shfaqen simptoma në formën e fibrozave të mëlçisë, cirroza, ose kancer.
Virusi përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit me gjak të infektuar ose lëngjeve trupore, përfshirë nëpërmjet seksit të pambrojtur dhe pajisjeve mjekësore që përdoren bashkërisht.
Raporti llogarit se rreth 3.2 milionë njerëz në rajon janë të infektuar me hepatit B, dhe 1.8 milionë kanë hepatit C. Bashkë, këto viruse janë të lidhura me pothuajse 50 mijë vdekje çdo vit.
“Ne duhet të theksojmë rëndësinë kritike të përpjekjeve të mëdha për parandalimin dhe kontrollin e hepatitit viral”, ka deklaruar Dr. Marieke van der Werf, drejtoreshë e seksionit të sëmundjeve të lidhura me gjakun dhe tuberkulozin në ECDC.
Ajo ka thënë se qasja në vaksinim, testim dhe kujdesi mjekësor për personat e infektuar “janë thelbësorë për një Europë më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”.
Sipas ECDC-së, më shumë se 65 % e të prekurve me hepatit B dhe 62 për qind e atyre me hepatit C ende nuk janë të diagnostikuar.
Hepatiti C mund të shërohet me përdorim të shkurtër të medikamenteve antivirale efektive. Megjithëse hepatiti B aktualisht nuk mund të shërohet, mund të menaxhohet me një trajtim afatgjatë që ndihmon shtypjen e virusit dhe reduktimin e rrezikut për dëmtim të mëlçisë.
Njëherësh, hepatiti A, i cili përhapet nëpërmjet jashtëqitjes së infektuar, është infeksion akut që zakonisht shërohet vetvetiu.
Botërisht, llojet e hepatit viral kronik shkaktojnë rreth 1.3 milionë vdekje në vit. Rrjedhimisht i bie nga 3.500 vdekje në ditë, duke e vënë në nivel të barabartë me tuberkulozin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se 2.8 milionë e këtyre vdekjeve do të mund të reduktoheshin deri më 2030 dhe u ka bërë thirrje qeverive që të fusin skanimin dhe trajtimin e hepatitit në kujdesin shëndetësor primar, sidomos për komunitetit e cenueshme dhe me rrezik të lartë.












