Enj, Mar 26, 2026
Banner Top
Banner Top
Rekord botëror: Ky është qyteti europian ku s’ka pasur vdekje nga aksidentet për një vit

Helsinki nuk ka shënuar asnjë vdekje në aksidente rrugore në 12 muajt e fundit. Ky është një rekord botëror që ka shënuar kryeqyteti finlandez, ku vdekja e fundit në aksident rrugor ishte në fillim të korrikut 2024.

Kjo vjen pavarësisht faktit se Helsinki, i cili me 650.000 banorët e tij është shtëpia e mbi një të dhjetës së popullsisë së Finlandës, vitin e kaluar pa një numër rekord turistësh: 4.5 milionë qëndrime brenda natës, të cilat kontribuan në mbipopullimin e rrugëve të qytetit.

Kryeqyteti finlandez i kishte vënë vetes qëllimin për zero vdekje në rrugë deri në vitin 2050 dhe vitet e fundit ka zbatuar një sërë politikash të sigurisë rrugore që kanë rezultuar vendimtare, duke filluar me kufirin e shpejtësisë prej 30 km/orë në shumë zona të qytetit.

“Shumë faktorë kontribuan në këtë rezultat, por kufijtë e shpejtësisë janë ndër më të rëndësishmit”, tha për faqen finlandeze të internetit Yle, Roni Utriainen, inxhinier trafiku në Departamentin e Mjedisit Urban të qytetit.

Sot, mbi gjysma e rrugëve të Helsinkit kanë një kufi shpejtësie prej 30 kilometrash në orë, pasi tradicionalisht, kufiri ishte 50, dhe me fillimin e vitit shkollor, kufiri do të shtrihet në të gjitha rrugët pranë shkollave të të gjitha niveleve.

Rekordi i kryeqytetit finlandez është aktualisht unik, por efektet e uljes së shpejtësisë në vdekshmërinë nga aksidentet rrugore tani janë të njohura.

Por kufizimet e shpejtësisë nuk janë të mjaftueshme për të arritur rezultatet e Helsinkit.

“Projektimi i rrugëve ka luajtur një rol themelor. Në vitet e fundit, infrastruktura për këmbësorë dhe çiklistë është përmirësuar ndjeshëm. Për më tepër, bashkëpunimi me policinë e trafikut është intensifikuar dhe janë futur më shumë kamera mbikëqyrjeje dhe sisteme automatike kontrolli”, shpjegon faqja e internetit e Yle.

Kontribut kanë pasur edhe sistemet e përmirësuara të sigurisë së makinave dhe fakti që qyteti i inkurajon njerëzit të mos i përdorin.

“Transporti publik në Helsinki është i shkëlqyer, gjë që zvogëlon përdorimin e makinave dhe rrjedhimisht, numrin e aksidenteve të rënda”, shpjegoi inxhinieri i trafikut Utriainen.

Rezultati është se në 12 muajt e fundit, ka pasur vetëm 277 aksidente rrugore me të lënduar dhe pa vdekje.

Youtube

Arkiva

Kategoritë