Dhuna në shkolla është një nga format më të dukshme të dhunës ndaj fëmijëve. Dhuna në shkolla krijon pasiguri dhe frikë, të cilat dëmtojnë ambientin e përgjithshëm të shkollës dhe cenojnë të drejtën e nxënësve për të mësuar në një mjedis të sigurt dhe jokërcënues.
Në mjediset edukativo-arsimore, sjelljet e dhunshme kanë filluar të bëhen mjaft shqetësuese për shoqërinë në Kosovë. Këto situata janë brengosese për nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe për shoqërinë në tërësi.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) vitin e kaluar shkollor, janë raportuar 39 raste të formave të ndryshme të dhunës, ndërkaq në këtë gjysmë vjetor janë raportuar 19 raste. Sipas raporteve të policisë , në vitin 2019, janë regjistruar 175 raste, ku numri më i madh i rasteve kanë qenë lëndim i lehtë trupor. Ndërkaq gjatë vitit 2018, ishin 477 raste, në 2017 ishin 594 raste, në 2015 u regjistruan 567 raste të dhunës, kurse gjatë vitit 2013 ishin evidentuar 387 raste të dhunës në shkolla.
Dhuna në shkollë mund të marrë shumë forma. Këto janë disa nga llojet e dhunës në shkollë:
Dhuna fizike, e cila përfshin çdo lloj agresioni fizik, përdorimin e armëve, si dhe akte kriminale si vjedhje apo zjarrvënie.
Dhuna psikologjike, e cila përfshin abuzim emocional dhe verbal. Kjo mund të përfshijë fyerjen, kërcënimin, injorimin, izolimin, refuzimin, thirrjen, poshtërimin, talljen, përhapjen e thashethemeve, gënjeshtrën ose ndëshkimin e një personi tjetër.
Dhuna seksuale, e cila përfshin ngacmimin seksual, frikësimin seksual, prekjen e padëshiruar, detyrimin seksual dhe përdhunimin.
Bullizmi, i cili mund të marrë forma fizike, psikologjike ose seksuale dhe karakterizohet nga agresioni i përsëritur dhe i qëllimshëm ndaj një personi tjetër.
Ngacmimi kibernetik, i cili përfshin abuzim seksual ose psikologjik nga njerëz të lidhur përmes shkollës në mediat sociale ose platforma të tjera online. Kjo mund të përfshijë postimin e informacionit të rremë, komente lënduese, thashetheme keqdashëse ose foto ose video të turpshme në internet. Ngacmimi kibernetik gjithashtu mund të marrë formën e përjashtimit të dikujt nga grupet ose rrjetet në internet.
Ndryshe, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës kërkon që shtetet të marrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur fëmijën nga dhuna.













