Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar raportin ditor të punës, ku bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar 39 pacientë të rinj për trajtim të mëtutjeshëm, ndërsa në repartet e spitalit janë realizuar gjithsej 404 vizita specialistike.
Aktualisht, në këtë institucion shëndetësor po trajtohen 155 pacientë të shtrirë, të cilët po marrin përkujdesje të vazhdueshme mjekësore.
Sipas raportit, gjatë ditës së djeshme 190 pacientë kanë kryer gjithsej 2,558 analiza laboratorike. Ndërkohë janë realizuar edhe 11 operime me sukses, si dhe 39 trajtime me dializë.
Në repartin e gjinekologjisë janë kryer dy lindje me prerje cezariane, ku kanë ardhur në jetë një djalë dhe një vajzë.
Po ashtu, shërbimet diagnostikuese dhe ekzaminimet kanë vazhduar me intensitet të lartë. Janë kryer 87 ekzaminime me Rëntgen, 44 ultrazëra (EHO), 21 MRI, 4 ekografi, 4 ergometri dhe 4 gastroskopi. Ndërkaq, në repartin e fiziatrisë janë ofruar 42 shërbime fiziatrike.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë kanë falënderuar stafin mjekësor për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar çdo ditë në shërbim të pacientëve.
“Jemi në shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit për të gjithë pacientët”, thuhet në njoftimin e spitalit.












