Sht, Pri 4, 2026
Banner Top
Banner Top
Zemra në rrezik: Alarm për shëndetin e zemrës në Kosovë

Shkruan: Krenare Hoti

Rritja e rasteve me infarkt, hipertension dhe probleme të tjera kardiake po shfaqet gjithnjë e më shumë. Ekspertët kërkojnë ndërgjegjësim dhe parandalim urgjent.

Para dy vitesh, një ndjesi shtangie në gjoks dhe një rrahje e çrregullt e zemrës ia ndryshuan jetën përgjithmonë zonjës Fakete. E vetëdijshme se në familjen e saj, nëna, vajza, e madje edhe mbesa, kishin kaluar sfida të ngjashme, ajo e kuptoi menjëherë se po përballej me një sëmundje që nuk ishte thjesht fizike, por edhe e trashëguar.

“Zemra më shtrëngonte dhe ndjeja se ritmi i zemrës time nuk ishte siç ka qenë gjithnjë, e unë nuk bëhesha rehat gati në asnjë moment”, kujton zonja Fakete.

“Tash e dy vite, pas kontrollës tek mjeku, kuptova se edhe unë, ashtu si edhe familjarë të tjerë, vuaj nga sëmundja e zemrës, e që kjo sëmundje çoi deri në reumë dhe probleme me tiroiden. Me shpresën që operacioni do e zgjidh problemin dhe lehtësoj jetën, unë i’u nënshtrova para gjashtë muajve”, shtoi ajo. Sot, gjashtë muaj pas ndërhyrjes, zonja Fakete ende nuk e ndjen veten të qëndrueshme dhe se herë pas here ka frikë rreth gjendjes së saj shëndetësore.  

Statistika që trondisin

Në vitet e fundit, bota po përballet me një rritje të rasteve me sëmundje kardiovaskulare, të cilat janë shndërruar në shkaktarin kryesor të vdekjeve në nivel global. Sipas të dhënave nga raporti i përgatitur nga Laboratori i Inovacionit të Sistemit Shëndetësor në Universitetin e Harvardit, numri i përgjithshëm i rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare është rritur nga rreth 271 milionë në vitin 1990 në mbi 523 milionë në 2019.

Në anën tjeter, sipas studimit shkencor të kryer nga Di Cesare et al., (2024), sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekshmërisë në nivel global dhe përgjegjës për një numër të konsiderueshëm vdekjesh dhe paaftësish. Vetëm në vitin 2021, këto sëmundje përbënin 20.5 milionë vdekje, që përbëjnë afërsisht një të tretën e të gjitha vdekjeve globale.

Këto sëmundje po prekin edhe Kosovën pasiqë numri i pacientëve që trajtohen për këto sëmundje është në rritje të vazhdueshme. Në raportin e fundit të publikuar nga IKShPK dhe Departamenti i Statistikave Shëndetësore thuhet se vetëm gjatë vitit 2023 u raportuan 1501 raste të pacientëve me sëmundje të zemrës, ndër ta 578 femra dhe 923 meshkuj.

Si qëndron Kosova përballë sëmundjeve kardiovaskulare sipas stafit shëndetësor?

I intervistuar nga FamiljaJonë, kardiologu Artan Ahmeti shprehet se sëmundjet kardiovaskulare mbeten një ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në Kosovë. Megjithëse mjekësia ka bërë përparime të mëdha, sistemi shëndetësor dhe qytetarët përballen ende me sfida të mëdha në parandalimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve me shkallë te lartë te mortalitetit dhe invaliditetit.

“Kosova ka bërë hapa përpara në ofrimin e shërbimeve kardiologjike, por mungesa e pajisjeve moderne dhe burimeve njerëzore, sidomos në qendrat periferike, mbetet pengesë serioze”, thekson Ahmeti. Tutje, ai shprehet se niveli i informimit të popullatës për rreziqet dhe simptomat e hershme është i ulët.

Dr. Sci. Artan Ahmeti, kardiolog

Sipas tij, në Kosovë, faktorët më të shpeshtë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës janë duhanpirja, ushqimi jo i shëndetshëm, mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha, stresi dhe trashegimia.

I pyetur rreth trajtimit të pacientëve në Kosovë, Dr. Ahmeti tregon se trajtimet standarde përfshijnë përdorimin e barnave adekuate, kurse për rastet më të rënda, ndërhyrjet invazive si vendosja e stentit apo ndërhyrjet kirurgjikale (CABG) kryhen në QKUK dhe spitalin rajonal te Prizrenit, ose me referim jashtë vendit në raste shumë të rralla për procedura specifike si TAVI, mitral clip etj. Sipas tij, rehabilitimi kardiak, një pjesë thelbësore e trajtimit, ende mbetet shumë i kufizuar.

“Zbulimi i hershëm i sëmundjeve kardiovaskulare është thelbësor. Megjithatë, shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm për simptomat si dhimbja në gjoks, lodhja e pazakontë apo frymëmarrja e vështirësuar. Kontrolli i tensionit të gjakut, sëmundjes së sheqerit, yndyrës së lartë në gjak si dhe analizat e gjakut duhen bërë rregullisht, por për këtë nevojitet edhe vetëdije, edhe sistem shëndetësor funksional”, shton Ahmeti.  

Në anën tjetër, specialisti i mjekësisë familjare, Dr. Nexhbedin Sadiki me një përvojë 30 vjecare, tregon se fillimi i rritjes së numrit të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka qenë para 20–30 vjetësh, gjatë periudhës së tranzicionit në Kosovë, kur faktorët e rrezikut për këto sëmundje filluan të shfaqen në mënyrë të theksuar në vendin tonë. Sipas tij, në atë kohë mungonte qasja e mirëfilltë në informacion, qoftë përmes mediave, qoftë përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me profesionistët shëndetësorë, por se sot situata është përmirësuar. Përveç kardiologëve, në këtë aspekt, rol të veçantë kanë edhe mjekët familjar.

“Roli i mjekut familjar është thelbësor në ruajtjen e shëndetit të zemrës te pacientët e të gjitha moshave. Duke e ndjekur pacientin gjatë gjithë jetës, që nga lindja e deri në pleqëri, mjeku familjar ka mundësinë të zbulojë me kohë rreziqet dhe të ndërhyjë në kohën e duhur për t’i parandaluar ato. Ky kontakt i vazhdueshëm e bën rolin e tij veçanërisht të rëndësishëm në edukimin shëndetësor dhe në formimin e zakoneve të shëndetshme që në fëmijëri”, thotë Dr. Sadiki.

Dr. Nexhbedin Sadiki, Specialist i Mjekësisë Familjare

Për më tepër, Dr. Sadiki shton se pacientët tashmë janë të mësuar me kontrollat e tyre të rregullta dhe se janë të paktë ata që paraqiten vetëm kur ndjejnë shqetësime apo kur problemi është shumë i dukshëm.

“Vijnë për vizita dhe analiza laboratorike në mënyrë të vazhdueshme, në varësi të moshës dhe nevojave shëndetësore që kanë. Këta pacientë e kanë kuptuar se parandalimi është gjithmonë më i lehtë dhe më i mençur sesa trajtimi”, shprehet ai.

Tutje, Dr. Sadiki përmend edhe rastet specifike të pacientëve me këto sëmundje. “Të jesh mjek familjar do të thotë të jesh në kontakt të vazhdueshëm me pacientin, dhe shumë shpesh edhe me disa gjenerata të së njëjtës familje. Kam pasur raste kur kam ndjekur gjyshërit, prindërit dhe më pas fëmijët e së njëjtës familje, gjë që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë historikun shëndetësor dhe lidhjet që shpesh përsëriten brenda familjes. Kjo më jep mundësinë që, përmes vëzhgimeve të përditshme dhe bisedave të thjeshta, të vërej me kohë shenja që mund të çojnë drejt një problemi kardiovaskular”.

Sidoqoftë, ai thekson sfidën e informimit të kësaj sëmundjeje. “Shumë vijnë me pyetje konkrete, të lexuar, të informuar, e të gatshëm të marrin përgjegjësi për shëndetin e tyre. Por, me bollëkun e informacionit, vjen edhe rreziku i dezinformimit. Jo çdo gjë që lexohet online vlen për të gjithë. Roli ynë si mjekë familjarë nuk është vetëm të trajtojmë, por edhe të udhëzojmë e të motivojmë pacientin që të kujdeset për veten me dije e besim”, përfundon ai.

Stili i Jetës dhe Ushqimi në Epiqendër – Albulena Shabani-Ilazi: Aktiviteti fizik është ndër faktorët më të fortë mbrojtës

Albulena Shabani-Ilazi, Nutricioniste/Dietologe

“Sasia mbi cilësi” është fraza me të cilën e hap diskutimin rreth lidhshmërisë së stilit të jetës me sëmundjet kardiovaskulare, nutricionistja dhe dietologia Albulena Shabani Ilazi.

Sipas Shabani-Ilazi, në vendin tonë, gjatë 20 viteve të fundit kemi parë një ndryshim të madh në stilin e jetesës sidomos në mënyrën si ushqehemi dhe si e përballojmë stresin e përditshëm. Nga një dietë tradicionale e pasur me produkte natyrale kemi kaluar drejt një modeli më urban dhe të përshpejtuar të ushqyerjes.

Ajo thekson se mungesa e disiplinës në zgjedhje ushqimore si në përbërje, ashtu edhe në sasi si dhe ulja drastike e aktivitetit fizik, kanë kontribouar në rritjen e dukshme të rasteve me probleme kardiovaskulare.

“Rrënjët e sëmundjeve të zemrës shpesh gjenden në pjatat tona të përditshme. Ushqimi që konsumojmë është një nga faktorët më të modifikueshëm dhe më me ndikim në parandalimin dhe përmirësimin e shëndetit kardiovaskular. Dieta nuk është vetëm çështje e kalorive apo peshës trupore; ajo ndikon drejtpërdrejt në strukturën e enëve të gjakut, në metabolizmin e lipideve, në presionin e gjakut, inflamacionin sistemik dhe në ekuilibrin hormonal”, shprehet ajo.

Ajo tregon se një ndër faktorët kryesorë që rrezikojnë zemrën është duhani. “Duhani është një nga faktorët më të rrezikshëm për zemrën. Ai dëmton muret e enëve të gjakut, rrit rrezikun për tromboza dhe ul nivelin e oksigjenit në gjak. Nuk ekziston ‘sasi e sigurt’ për duhanin.”

Tutje, ajo tregon edhe rreth rolit te aktivitetit fizik, menaxhimit të stresit dhe gjumit të mirë.

“Aktiviteti fizik i rregullt është ndër faktorët më të fortë mbrojtës. Ushtrimet aerobike, si ecja e shpejtë, vrapi, noti apo biçikleta, përmirësojnë kapacitetin e zemrës, ulin tensionin dhe përmirësojnë ndjeshëm metabolizmin e yndyrnave dhe sheqerit” sipas saj.

Sa i përket stresit, ajo thekson se menaxhimi i tij dhe qetësia e brendshme janë mburojë e zemrës. “Nën stres kronik, organizmi prodhon më shumë kortizol dhe adrenalinë hormone që ndikojnë negativisht në zemër, duke rritur tensionin dhe përkeqësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës. Stresi gjithashtu çon drejt zakoneve të pashëndetshme si ushqimi emocional, konsumimi i tepruar i alkoolit dhe gjumi jo i rregullt.”

Gjumi cilësor, sipas saj, ndihmon në rigjenerimin e organizmit, balancimin hormonal dhe ruajtjen e një tensioni stabil, kurse pagjumësia dhe ritmi i çrregullt ditor lidhen me rritje të rrezikut për hipertension dhe infarkt.

Për FamiljaJonë, Shabani-Ilazi gjithashtu tregon edhe përfitimet e një dietë të shëndetshme për zemrën. Ato përfshijnë uljen e kolesterolit LDL (i keq) dhe rritjen e HDL (i mirë), uljen e presionit të gjakut dhe mbajtjen e tij në vlera optimale, parandalimin e trashjes së enëve të gjakut (aterosklerozës), kontrollin e niveleve të glukozës në gjak dhe uljen e peshës trupore në mënyrë të qëndrueshme.

Kurse disa nga ushqimet që mbrojnë zemrën janë si në vijim:

  • Perimet me gjete jeshile;
  • Frutat me ngjyrë të errët;
  • Drithërat integrale;
  • Vaji ullirit ekstra i virgjër;
  • Peshku yndyror;
  • Arrat dhe bajamet.

Këshilla për ta mbrojtur zemrën

Krejt në fund, kardiologu Ahmeti, Dr. Sadiki dhe nutricionistja/dietologia Shabani Ilazi japin këshilla rreth kujdesit të zemrës dhe parandalimit të sëmundjeve.

  • Ndaloni duhanin;
  • Bëni ushtrime fizike së paku 30 minuta në ditë;
  • Ushqehuni shëndetshëm dhe kontrolloni peshën;
  • Kryeni kontrolle të rregullta, veçanërisht pas moshës 40 vjeç;
  • Matni tensionin çdo 6 muaj dhe bëni analizat e gjakut (kolesteroli dhe sheqeri) së paku një herë në vit;
  • Në raste se personi ka faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare, kryeni ekzaminime shtesë si: ekokardiografia, Ergometria, Holter EKG 24h, e në raste specifike edhe koronarografia.

Zemra nuk jep gjithmonë sinjale të qarta kur është në rrezik, por me kujdes, informim dhe veprim të hershëm, mund të shmangim tragjeditë që vijnë pa paralajmërim. Për fat të mirë, nuk është asnjëherë vonë për të nisur ndryshimin. Ndryshimet e vogla sot mund të parandalojnë pasoja të mëdha nesër!

Kujdesuni për zemrën tuaj, kujdesuni për veten!

Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.

Youtube

Arkiva

Kategoritë