Mër, Pri 29, 2026
Banner Top
Banner Top

Një raport i fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), agjenci e Kombeve të Bashkuara, tregon se më shumë se 840 mijë njerëz vdesin çdo vit për shkak të problemeve shëndetësore të lidhura me rreziqet psikosociale në vendin e punës.

Faktorë të tillë si oraret e gjata, pasiguria në punë, bullizmi dhe ngacmimi krijojnë mjedise të dëmshme që ndikojnë negativisht si në shëndetin fizik ashtu edhe në atë mendor.

Sipas raportit, këto rreziqe lidhen kryesisht me sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet mendore, përfshirë edhe vetëvrasjen.

Ekspertët theksojnë se përmirësimi i kushteve psikosociale në punë është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve, por edhe për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, shkruan burimi Euronews Health.

Puna ka një rol të rëndësishëm në formësimin e identitetit, lidhjeve shoqërore dhe sigurisë ekonomike.

Megjithatë, mënyra si organizohet ajo mund të jetë ose mbështetëse, ose e dëmshme. Kërkesat e tepërta, paqartësia e roleve dhe ndjenja e padrejtësisë shpesh çojnë në pasoja serioze për shëndetin.

Raporti vlerëson se çdo vit humben rreth 45 milionë vite jetë të shëndetshme për shkak të këtyre rreziqeve.

Ndikimi i kombinuar i sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve mendore përkthehet në humbje ekonomike prej rreth 1.37% të ‘Prodhimit të Brendshëm Bruto’ global. Në Evropë, vetëm këto faktorë shkaktojnë mbi 112 mijë vdekje në vit.

Çrregullimet mendore si depresioni, ankthi, lodhja kronike dhe problemet me gjumin janë ndër më të përhapurat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se këto probleme shkaktojnë rreth 12 miliardë ditë pune të humbura çdo vit. Për më tepër, stresi shpesh çon në sjellje të pashëndetshme si duhani, konsumimi i alkoolit, ngrënia e tepërt dhe mungesa e aktivitetit fizik, duke rritur rrezikun për obezitet dhe sëmundje kronike.

Ndër shkaqet kryesore të dëmit në punë përfshihen oraret e gjata, presioni i lartë, mungesa e balancës mes përpjekjes dhe shpërblimit, si dhe dhuna apo ngacmimi. Rreth 35% e punonjësve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë rrit ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë