Shoqata Evropiane e Ritmit të Zemrës (EHRA) i ndau mirënjohje Grupit Punues për Çrregullimet e Ritmit të Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës (SHKK), në mesin e 50 shoqatave e grupeve punuese nacionale anëtare dhe kontribuuese brenda saj.
Lidhur me këtë, ka shprehur krenari kardiologu Edmond Haliti.
Ai thotë se kjo është meritë e gjithë grupit punues.
“Jam jashtëzakonisht krenar, e njëkohësisht i privilegjuar, që në cilësinë e kryetarit të këtij grupit punues të pranoj mirënjohje dhe vlerësim të tillë nga kjo shoqatë prestigjioze, për zhvillimin e kësaj fushe sa të rëndësishme, po aq specifike të kardiologjisë moderne. Natyrisht, kjo nuk është një meritë vetëm e grupit punues dhe e imja, por e gjithë atyre kolegëve që ndër vite kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e aritmologjisë klinike në vendin tonë.
“Pashmangshëm, dua të falënderoj Shoqatën e Kardiologëve të Kosovës dhe kryetarin e saj Prof. Gani Bajraktari për besimin e dhënë në udhëheqjen e këtij grupi punues. Përkushtimi dhe puna jonë e përditshme në shërbimin e aritmologjisë, ka bërë që të jemi partnerë të vërtetë të EHRA-së, duke dëshmuar zhvillim të qëndrueshëm kuantitativ e kualitativ të shërbimeve, futjen e shërbimeve të reja, bashkëpunime ndërkombëtare, trajnime të stafit dhe rritje të numrit të mjekëve të angazhuar në këtë fushë, në një rrugë që sigurisht ka ende për tu bërë”, ka shkruar Haliti në Facebook.
“Në këtë mënyrë, ky shërbim specifik i kardiologjisë dhe grupi punues i çrregullimeve të ritmit jo vetëm po ndihmon pacientët me këto sëmundje, po kontribuon në zhvillimin e sistemit shëndetësor, por po i bënë edhe një nder meritor vendit e komunitetit, në qarqet profesionale ndërkombëtare. E kuptueshme, që në këtë rrugë ka pasur jo pak pengesa objektive e subjektive, por të cilat janë tejkaluar me punë dhe konsistencë; si të tilla kanë marr vetëm çmimin e harresës”.











