Albina Selmanaj
(Një nënë nga Prishtina, burim i cili do të mbetet anonim, ka ndarë përvojën e saj të dhimbshme lidhur me edukimin dhe përfshirjen e vajzës së saj me autizëm dhe ADHD në sistemin arsimor në Kosovë. Rrëfimi i saj, i mbushur me dhimbje, zhgënjim dhe luftë të vazhdueshme, hedh dritë mbi sfidat që prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta përballen çdo ditë.)
“Ahhh, përvoja ime e parë mos u harroft… s’di qysh ma e tmerrshme”, – kështu fillon përshkrimin e saj nëna e një vajze me autizëm, teksa kujton ditën e parë të shkollës.Vajza e saj, në vend që të pritej me kujdes dhe mirëkuptim, u vendos në një klasë ku mësueses i mungonte qasja e duhur për fëmijë me nevoja të veçanta.
Por kjo ishte vetëm fillimi i një rruge të vështirë. Dyert që duhet të përqafojnë më së shumti fëmijët, e goditën vajzën e saj. Madje, një prind tjetër kishte tërhequr fëmijën e vet nga klasa, vetëm pse fëmija i saj ishte ndryshe nga të tjerët.
“Shkon një prind, doktor i thojke vetit, ankohet te drejtoresha se s’don me lan fëmijën në klasë sepse fëmija im ka qajt. Derisa i thash: ‘Ooo, më së paku doktor qenke, po s’paske as ni pikë njerëzillëku bre’. Si fund, e ka tërhek fëmijën nga ajo klasë si pasojë që vajza ime ka qenë aty.”, rrëfen ajo.
Pas këtij episodi, zhgënjimi i nënës ndaj institucioneve arsimore vetëm sa është rritur. Pavarësisht se ka kërkuar ndihmë dhe zgjidhje, ajo thotë se institucionet treguan mungesë serioze për të përfshirë fëmijët me autizëm në sistemin arsimor.
“Me të thanë të drejtën, nuk shoh ndonjë të ardhme të mirë për këtë kategori fëmijësh. Jam tej mase e zhgënjyer në institucionet arsimore lidhur me këtë punë, dhe nuk shpresoj që mund të bëjnë ndonjë gjë të mirë ndonjëherë, përderisa vetëm një herë në vit, gjatë muajit të ndërgjegjësimit për autizmin, vizitojnë situatën, e për pjesën tjetër të vitit nuk merren fare me këtë problem.”, përfundoi ajo.
Ky rast nuk është i izoluar. Kohët e fundit janë raportuar ngjarje të ngjashme, duke shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik.
Në këtë kontekst, ka reaguar edhe psikologu Visar Sadiku, i cili përmendi raste kur disa mësues u kanë vënë “diagnoza” fëmijëve, duke i quajtur ata me autizëm pa asnjë bazë profesionale. Ai e cilëson këtë sjellje të dëmshme, të padrejtë dhe krejtësisht të pafalshme.
“Kjo është një dukuri e dëmshme, e padrejtë dhe krejtësisht e pafalshme! Sepse nuk ka asgjë më të lehtë sesa ta lëndosh një fëmijë me një fjali të thënë pa menduar. Nuk ka asgjë më të padrejtë sesa të detyrosh një nënë apo një baba të lotojë në ditën e parë të shkollës, në vend që të ndjejnë krenari dhe gëzim.”, theksoi ai.
Sadiku kërkoi ndërgjegjësim dhe përgjegjësi më të madhe nga institucionet, duke shtuar se shkolla duhet të jetë vend i dashurisë, sigurisë dhe pranimit, jo i stigmatizimit.











