Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Rizoto e shijshme me patate dhe djathë

Nga Linda Fishta/Fotografia Armand Habazaj

Përbërësit për 4-6 persona: 360 g oriz Carnaroli, 3 patate të kuqe amerikane (mos i ngatërroni me patatet normale me ngjyrë të kuqe), 150 g djathë Gorgonxola, mundësisht pikant djathë Parmigiano i grirë, 2 qepë Scalogne ose 1 qepë e vogël, jo djegëse, 1 degë rozmarinë, 1 gotë verë e bardhë, lëng perimesh i valuar, vaj ulliri, gjalpë.

Përgatitja: Patatet e qëruara i ndajmë në kubikë të vegjël dhe i vëmë të ziejnë, në avull ose në tenxhere me ujë, për 20-25 minuta ose derisa kur t’i shpojmë me pirun, ai të hyjë lehtësisht. I kullojmë dhe sa janë ende të nxehta, i shtypim me pirun. Scalognia-n ose qepën e grirë hollë, e skuqim në një tigan me 1 lugë gjalpë e 2 lugë vaj ulliri. Kur qepa të bëhet transparente, shtojmë patatet e shtypura, i spërkasim me  kripë, i përziejmë me lugë druri dhe pas 2 minutash, i heqim nga zjarri dhe i lëmë mënjanë. Në një tenxhere, për 3-4 minuta, skuqim orizin me 2 lugë vaj ulliri duke e përzier vazhdimisht me lugë druri. E shuajmë me verë dhe kur ajo të ketë avulluar, shtojmë një garuzhde me lëng perimesh. E lëmë orizin të ziejë duke shtuar lëng të valuar sipas nevojës. Kur orizit t’i duhet edhe shumë pak që të përfundojë zierjen, shtojmë Gorgonxola-n të thërrmuar, patatet me qepën, pak gjethe rozmarine të grira imët me thikë dhe e lezetojmë me kripë. Orizin e zier e heqim nga zjarri, e përziejmë me një lugë gjalpë të ftohtë, nga frigoriferi, të prerë në kubikë dhe djathin Parmigiano sipas dëshirës. E mbulojmë me kapak dhe e lëmë të pushojë për 2 minuta.

Burimi: Living

Youtube

Arkiva

Kategoritë