Mar, Pri 30, 2024
Banner Top
Banner Top
QKRMT: Sot nis kampanja “Drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ju ftojmë të merrni pjesë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), bashkë me organizatat e Platformës “Bëhu Zëri Im”, organizuan një aktivitet në shënim të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këtë aktivitet e hapi drejtoresha e QKRMT, Feride Rushiti, e cila potencoi se kjo është pikërisht dita kur Vasfije Krasniqi kishte shuar për të kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

Ajo poashtu bëri të ditur se sot në nivel vendi nis kampanja përmes të cilës do të kërkohet drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Ne sot kemi fillu edhe një fushatë që ka për qëllim me i ftu gjithsecilin prej jush me dal një kampanjë që mund të kërkoni drejtësi për të mbijetuarit. Kjo kampanjë po fillon sot në nivel vendi dhe do të mbyllet më 19 qershor. Kësaj kampanje iu kanë bashkuar dy heroinat, Vasfije dhe Shyhretja, si dhe Presidentja e vendit”, tha drejtoresha e QKRMT, Feride Rushiti.

Derisa, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi tha se kjo ditë është e vështirë për të, por do që ta shndërrojë në ditë force.

“14 prilli është një ditë shumë e vështirë për mua, është ditë e mërzitshme, por unë nuk dua ta quaj dita e viktimës seksuale por dua ta quaj ditë të forcës. Dëshiroj që të na përkrhani jo vetëm më 14 prill por për çdo ditë”, tha ajo.

Vasfije Krasniqi njoftoi se do të shkojë për herë të parë në veri të Mitrovicës për t’iu treguar serbëve se kush jemi sot.

“Do të shkoj në Veri të Mitrovicës sepse nuk kam qenë asnjëherë në veri, për me iu tregu serbëve se kush kanë qenë ata para 25 vjetësh edhe kush jemi ne sot, jemi të fortë dhe e kemi përballu gjithë atë dhunë e forcë dhe do t’ia dalim sepse Mitrovica është e jona”, tha Krasniqi, përcjell klankosova.tv

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri Sylejmani. Ajo bëri lutje që të mos kujtohen vetëm kur shënohet kjo datë.

“14 prilli është një dhimbje jo veç për mua por për 20 mijë gra e burra të Kosovës, e më shumti për motrën Vasfije. I bashkëngjitëm kur tha se jam e fortë dhe unë besoj që është e fortë. Ju kisha lutë që të mos na përkrahni vetëm me 14 prill sepse lufta nuk harrohet, krimet nuk harrohen”, tha Shyhrete Tahiri Sylejmani, përcjell familjonë.

Ndryshe, 14 prilli shënohet në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona që vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 25 vjetësh.

Youtube

Arkiva

Kategoritë