Pre, Maj 20, 2022
Banner Top
Banner Top

Pas ngritjes enorme të çmimit të konsumit të përgjithshëm, veçmas vajit ushqimor, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që kanë keqpërdorur pozitën monopoliste në treg.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke reaguar pas rritjes së çmimeve të disa produkteve bazike, ka ftuar sot Prokurorinë e Shtetit që të marrë veprime kundër këtyre personave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar opinionin publik se “Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë, thuhet në njoftimin.

Lidhur me ngritjen e çmimeve të vajit kanë reaguar sot edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.

Kurti gjatë vizitës në kompaninë e vajit “Floil” në Gjilan ka theksuar se rritja e çmimeve është artificiale.

Ndaj ngritjes së çmimit të vajit kanë reaguar edhe partitë politike në vend, të cilat kanë kërkuar reagim nga Qeveria dhe organet kompetente.

Përveç çmimit të naftës, i cili është duke u ngritur në vazhdimësi në Kosovë, ngritje të çmimeve janë duke pësuar edhe produktet ushqimore.

Ngritje enorme e çmimit të vajit ushqimor është vërejtur gjatë dy ditëve të fundit në marketet e vendit tone. Nga 1.60 euro sa ishte dy ditë më parë, çmimi i vajit është ngritur në 3.49 euro për një shishe, që ka më pak se një litër.

Për ngritjen e çmimit të vajit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët edhe kanë kritikuar ashpër institucionet për mos reagim ndaj rritjes së çmimeve. 

Arkiva

Kategoritë