Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë u përurua zyrtarisht ashensori i ri në Ambulancën Specialistike, një donacion i çmuar nga bashkëqytetari ynë që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Armend Qerim Pepshi.
Ky është tashmë ashensori i dytë që familja Pepshi dhuron për këtë institucion shëndetësor. Ashensori i parë, i vendosur më herët në bllokun internistik, ka ndihmuar në lehtësimin e qasjes midis repartit të Dializës dhe atij të Internos.
Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë falënderon z. Pepshi për këtë kontribut të jashtëzakonshëm dhe për ndihmën konkrete që ai po ofron në përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët. Ky donacion përfaqëson një shembull të shkëlqyer të solidaritetit dhe përkushtimit të diasporës për mirëqenien e qytetarëve në vendlindje.
“Kontributi i familjes Pepshi është më shumë se një pajisje funksionale – është një akt humaniteti që pasqyron lidhjen e fortë të bashkatdhetarëve me qytetin dhe vendin e tyre. Jemi thellësisht mirënjohës,” u shpreh drejtori i spitalit gjatë ceremonisë së përurimit.
Ashensori i ri do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e lëvizshmërisë së pacientëve, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta, duke e bërë qasjen në shërbimet specialistike më të lehtë dhe më dinjitoze.












