Krenare Hoti
Shumë nga ne shqetësohemi kur ndjejmë se rrahjet e zemrës na shpeshtohen. Rrahjet e çrregullta të zemrës mund të ndodhin tek çdo person dhe shpesh ngjallin frikën se diçka nuk është në rregull me këtë organ jetik. Megjithatë, rrahjet e tepërta ose të çrregullta të zemrës nuk janë gjithmonë shenjë e ndonjë çrregullimi serioz të zemrës.
Për të kuptuar më shumë rreth këtyre rrahjeve, Familja Jonë ka intervistuar internistin Mursel Gashi, i cili na ka shpjeguar në detaje arsyet e rrahjeve të shpejta të zemrës, mënyrat e diagnostikimit, trajtimin e tyre, dhe informacione të tjera të rëndësishme që duhet t’i dini patjetër.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë.
- Çka janë palpitacionet?
Palpitacionet janë ndjesi subjektive e të rrahurave të shpejta ose kapërcimeve të zemrës. Ato mund të paraqiten në kushte normale te ngarkesa fizike ose stresi, por palpitacionet në raste të caktuara mund të sinjalizojnë edhe probleme në zemër. Shpesh pacientet e përshkruajnë “sikur zemra po del nga vendi”. Palpitacionet shkaktojnë ankth dhe frikë, por në shumicën e rasteve nuk janë serioze dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Megjithatë, të kuptoni se çfarë ju shkakton palpitacione mund t`ju ndihmojë të mos frikësoheni dhe të dini se kur është e nevojshme të konsultoheni me një mjek.
- Cilët janë shkaktarët e palpitacioneve?
Lista e shkaqeve të palpitacioneve është e gjatë, dhe në disa raste, etiologjia nuk mund të përcaktohet. Në një studim që raportonte etiologjinë e palpitacioneve, 43% u gjetën të ishin kardiake, 31% psikiatrike dhe afërsisht 10% u klasifikuan si të ndryshme (të shkaktuara nga mjekimi, tirotoksikoza, kafeina,kokaina, anemia, amfetamina dhe mastocitoza).
Etiologjitë kardiake të palpitacioneve janë më kërcënuese për jetën dhe përfshijnë burime të ndryshme brenda zemres qofshin ato ventrikulare ose atriale. Gjatë fazave të diagnostifikimit është e rëndësishme të zbulohen edhe shkaktarët sepse varësisht nga ato bëhet edhe trajtimi.
Zakonisht ndarje e thjeshtë dhe e kuptueshme e shkaktarëve më të shpeshtë do të ishtë kjo:
➢ Ushtrimet dhe sforcimet e rënda fizike;
➢ Përdorimi i kafeinës, nikotinës, alkoolit ose narkotikëve;
➢ Stresi, ankthi ose çrregullime të tjera të humorit;
➢ Ndryshimet hormonale;
➢ Aritmitë dhe gjendje të tjera të zemrës;
➢ Kardiomiopatitë , sëmundjet ishemike të zemrës;
➢ Anomalitë e elektroliteve.
- Si bëhet diagnostifikimi i tyre?
Qëllimi i diagnostifikimit në përgjithësi është të përjashtohen (zbulohen) sëmundjet funksionale ose të tjera të zemrës e të cilat paraqesin rrezik për jetën. Sa i përket anës subjektive (anamnestike) të pacientit, e dhëna fillestare më e rëndësishme për diagnozën është përshkrimi i rrahjeve të zemrës. Mosha e përafërt e personit kur vërehet për herë të parë dhe rrethanat në të cilat ato ndodhin janë të rëndësishme, siç është informacioni në lidhje me marrjen e kafeinës (pirja e çajit ose kafesë) dhe nëse rrahjet e vazhdueshme mund të ndalen duke marrë frymë thellë ose duke ndryshuar pozicionet e trupit.
Është gjithashtu shumë e dobishme të dihet se si fillojnë dhe ndalen (papritmas apo jo), nëse janë të rregullt apo jo dhe përafërsisht sa i shpejtë është pulsi gjatë një ataku. Nëse personi ka zbuluar një mënyrë për të ndaluar palpitacionet, ky është gjithashtu informacion i dobishëm.
Ndersa sa i perket egzaminimit objektiv, fillohet nga askultimi i zemrës dhe EKG 12-analshe (shpesh ndodh që gjatë vizitës në klinikë pacienti të mos i përjetojë ato për momentin), pastaj kalohet te regjistrimi 24h ose 48h i monitorimit të vazhdueshëm i ritmit të zemrës EKG Holtteri si dhe shumë e rëndësishme patjeter edhe ECHOKARDIOGRAFIA.
- Po sa i përket trajtimit, a ka ndonjë terapi specifike për palpitacionet?
Trajtimi i palpitacionit do të varet nga ashpërsia dhe shkaku i gjendjes. Trajtim specifik në formë të grupuar nuk ka.
Mënyrat e trajtimit janë:
- Në zemrën e shëndetshme, palpitacionet e rastit zakonisht janë të lehta në natyrë dhe nuk kërkojnë terapi specifike. Më shpesh, modifikimet e dietës dhe të stilit të jetesës janë të mjaftueshme për të reduktuar çrregullimet (shih më sipër);
- Për palpitacionet e përsëritura, rekomandohet terapi me medikamente (zakonisht beta-bllokues);
- Nëse shkaku i palpitacioneve është një sëmundje e zemrës ose endokrine (p.sh. hipertireoza), fillimisht trajtoni këtë sëmundje;
- Mungesa e kaliumit dhe/ose e magnezit mund të ribalancohet nëpërmjet marrjes së elektroliteve.
- Kur ju vlerësoni se një pacient duhet të vizitojë mjekun internist ose kardiolog nga këto shqetësime?
Ndjesia e rrahjeve të çrregullta janë të shpeshta dhe natyrisht jo gjithmonë nevojitet egzaminim mjekësor. Janë disa gjendje që lidhen me palpitacionet e që duhet patjetër një profesionist shëndetsor t’i egzaminojë si p.sh nëse janë ende të padiferencuara (nuk janë kërkuara ende shkaktarët), nësë janë rrahje të çrregullta që shoqërohen edhe me ankesa tjera në systemin kardiovaskular (frymënxënie, djersije, mundim) ose në rastet më ekstreme kur kemi crregullime të vetdijes (presinkopë ose sinkopë).