Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti dështimin për të kufizuar rritjen e temperaturave globale një “dështim moral”, raporton Al Jazeera.
Sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, ky vit pritet të jetë ndër më të nxehtët e regjistruar ndonjëherë, duke e zhytur botën edhe më thellë në krizën klimatike dhe duke rrezikuar “dëme të pakthyeshme”.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) tha se vitet 2023, 2024 dhe 2025 pritet të jenë tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë. Ky vit pritet të renditet si i dyti ose i treti më i nxehtë në 176 vitet që kur mbahen të dhëna. Raporti u publikua të enjten, pak ditë para samitit të klimës COP30 që do të zhvillohet në Brazil.
Raporti i OKB-së theksonte disa fakte shqetësuese. Nivelet e gazeve serrë kanë arritur sërish rekord të ri, duke bllokuar më shumë nxehtësi për vitet e ardhshme. Ndërkohë, periudha 2015–2025 ka qenë një dekadë me temperaturat më të larta që janë regjistruar ndonjëherë.
Kreu i WMO-së, Celeste Saulo, tha se “është pothuajse e pamundur të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius gjatë viteve të ardhshme”, duke iu referuar objektivave të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.
Marrëveshja e Parisit, që synon kufizimin e emetimeve të gazeve serrë, u hartua për t’i dhënë botës një drejtim të ri për t’u shkëputur nga varësia ndaj karburanteve fosile që kanë ushqyer ekonominë globale që prej Revolucionit Industrial. Synimi ishte të mbahej ngrohja globale nën 2 gradë Celsius dhe, në mënyrë ideale, rreth 1.5 gradë.
Por bota ka dështuar të përmbushë këto angazhime. WMO deklaroi se tani është thuajse e pamundur të arrihen objektivat e Marrëveshjes së Parisit.
Saulo theksoi se “kjo periudhë e pazakontë nxehtësie, e kombinuar me rritjen rekord të gazeve serrë vitin e kaluar, e bën të qartë se do të jetë shumë e vështirë të mbetet ngrohja globale nën 1.5 gradë pa e kaluar përkohësisht këtë kufi. Por shkenca po ashtu tregon se është plotësisht e mundur dhe thelbësore që temperaturat të ulen sërish në 1.5 gradë deri në fund të shekullit.”
Raporti i WMO-së tha se temperatura mesatare pranë sipërfaqes së tokës, rreth dy metra mbi nivelin e tokës, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti ishte 1.42 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës para-industriale.
Në të njëjtën kohë, përqendrimet e gazeve serrë dhe sasia e nxehtësisë në oqeane vazhduan të rriten, duke tejkaluar nivelet tashmë rekord të vitit 2024.
Në raportin e vet vjetor të martën, Programi i Mjedisit i OKB-së konfirmoi se emetimet e gazeve serrë u rritën me 2.3 për qind vitin e kaluar. Rritja më e madhe u regjistrua në Indi, e ndjekur nga Kina, Rusia dhe Indonezia.
Gjatë hapjes së samitit të liderëve në Brazil përpara COP30, Antonio Guterres tha se dështimi për të frenuar rritjen e temperaturave globale është një “dështim moral”.
“Çdo vit që kalon mbi kufirin prej 1.5 gradësh do të dëmtojë ekonomitë, do të thellojë pabarazitë dhe do të shkaktojë dëme të parikuperueshme. Duhet të veprojmë tani, me shpejtësi dhe në përmasa të mëdha, për ta mbajtur tejkalimin sa më të vogël dhe sa më të shkurtër – dhe për t’i rikthyer temperaturat nën 1.5 gradë para fundit të shekullit,” tha Guterres.
Përparime të dukshme
WMO theksoi se efektet e rritjes së temperaturave janë të dukshme edhe në Arktik, ku pas dimrit të këtij viti, akulli detar arriti nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Në Antarktik, shtrirja e akullit detar mbeti gjithashtu shumë më poshtë mesatares gjatë gjithë vitit.
Agjencia e OKB-së nënvizoi edhe sërë ngjarjesh ekstreme klimatike gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, nga përmbytjet shkatërruese te valët përvëluese të të nxehtit dhe zjarret, që kanë sjellë pasoja zinxhirore mbi jetën, ekonominë dhe sigurinë ushqimore.
Në këtë kuadër, WMO vlerësoi “përparimet e rëndësishme” në sistemet e paralajmërimit të hershëm për rreziqe të shumëfishta, të cilat sipas saj “janë më të domosdoshme se kurrë”.
Që nga viti 2015, numri i vendeve që raportojnë për këto sisteme është më shumë se dyfishuar, nga 56 në 119.
Përparimi është veçanërisht i dukshëm në vendet më të varfra dhe në shtetet ishullore të vogla, ku vetëm gjatë vitit të fundit është shënuar një rritje prej 5 për qind në qasjen ndaj këtyre sistemeve.
Megjithatë, 40 për qind e vendeve të botës ende nuk kanë sisteme të tilla paralajmërimi.
“Nevojitet veprim urgjent për të mbyllur këto boshllëqe,” përfundoi raporti. /Al Jazeera/












